I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë vazhduar të martën vizitën në Kosovë me takime me përfaqësues të partive opozitare.
Një ditë më herët, dy diplomatët kanë takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ata kanë inkurajuar udhëheqësit e Kosovës që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se ky proces do ta afrojë Kosovën edhe më pranë BE-së.
Përfaqësuesit e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thanë se në takim me diplomatët perëndimorë kanë shprehur mbështetje për dialogun si mekanizëm që siguron njohjen e ndërsjellë, pa e cenuar, sipas tyre, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar bisedime në nivel të lartë qysh në korrik të vitit të kaluar.
Çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe shihet si shkak i bllokadës.
Formimi i këtij asociacioni është paraparë me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kanë arritur në vitin 2013.
Qeveria e tanishme e Kosovës, e udhëhequr nga Kurti, thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion me bazë njëetnike.
Serbia, në anën tjetër, insiston që në kuadër të dialogut, të bisedohet për Asociacionin, para se të diskutohet për ndonjë temë tjetër – gjë të cilën Kosova nuk e pranon.
Njohësit e çështjeve politike në Prishtinë e shohin vizitën e Escobarit dhe të Lajçakut si presion të SHBA-së dhe të BE-së mbi Kosovën, për të rinisur dialogun me Serbinë dhe për të formuar Asociacionin.
Në prag të vizitës së tyre, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë për këtë asociacion dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t’i shqyrtojë ato.
Ai nuk ka dhënë më shumë detaje rreth këtyre modeleve, por Kurti, gjatë një konference të përbashkët për media me Escobarin dhe Lajçakun, ka thënë se është i gatshëm t’iu përgjigjet kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë atyre serbë.
“Do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara”, ka thënë Kurti.
Demhasaj: Deklarata e Kurtit nxori në pah presionin ndaj tij
Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, me bazë në Prishtinë, thotë se deklarata e Kurtit ka zbuluar se ekziston një lloj presioni ndaj tij, lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Fakti që Kurti u shpreh se është për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës dhe që të gjithë të jenë të barabartë, në njëfarë mënyre tregon se ka presion për Asociacionin. Tash, mbetet të shihet për më shumë informacione ditëve të tjera. Por, me gjasë, kërkesa kryesore e zotit Escobar dhe e zotit Lajçak është që ai [Kurti] duhet të tërhiqet nga pozicionet momentale që ka”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.
Nga kabineti i kryeministrit Kuti kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se gjatë takimeve të djeshme midis Kurtit dhe diplomatëve perëndimorë “nuk ka pasur kërkesa specifike” në lidhje me çështjen e Asociacionit.
Sipas analistit Imer Mushkolaj, qëndrimet tashmë të shprehura nga SHBA-ja se nuk do të cenohet integriteti dhe sovraniteti i Kosovës, si dhe ato të BE-së se nuk është e interesuar për një Republikë Sërpska në Kosovë, japin sinjale se po kërkohet zgjidhje.
Më 30 janar, Lajçak ka deklaruar për Gazetën Express në Kosovë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet, porse askush nuk e do një tjetër Republika Sërpska – duke iu referuar kështu entitetit me shumicë serbe në Bosnje e Hercegovinë.
Sipas Mushkolajt, zgjidhja që po kërkohet tani është ndërmjet Marrëveshjes së vitit 2013 për Asociacionin dhe qëndrimit të Kurtit se Asociacioni nuk do të themelohet fare.
“Kam përshtypjen që të dy ndërmjetësit janë duke kërkuar zgjidhje midis këtyre dy ekstremeve dhe që do të mund të rezultonte me një organizim të ri – të mos e quaj asociacion – që do të mund të krijohej në Kosovë. Unë jam skeptik se mund të ndodhë një gjë e tillë, por më tepër besoj se do të kemi të bëjmë me një shpërndarje të më shumë të drejtave në fusha të caktuara për serbët. Nuk do të kishte një emër të veçantë, por, në praktikë, do të mund t’i shtonte të drejtat e tyre”, thotë Mushkolaj.
A do të bëjë Kosova kompromis?
Arton Demhasaj thotë se presioni ndaj Qeverisë së Kosovës, mund ta bëjë kryeministrin Kurti të lëvizë nga qëndrimi i ngurtë që ka kundër formimit të Asociacionit.
“Nga pala jonë [e Kosovës], me gjasë, mund të ketë lëvizje nga pikat ku janë, për shkak se, në rast se Escobar vjen dhe premton që marrëveshja finale [me Serbinë] duhet të përfundojë me njohje reciproke, atëherë, në këmbim të kësaj, mendoj që ata do të kërkojnë diçka. Gjasat maksimale janë që të kërkohet një lloj asociacioni”.
“Tash, se çfarë ka për të qenë ky asociacion, në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit apo do të vijë ndonjë model tjetër, prej atyre që u përmenden ditëve të fundit, mbetet të shihet. Por, me shumë gjasë që Kosovës do t’i bëhet presion i madh që në këmbim të njohjes, të japë Asociacionin”, thotë Demhasaj.
Mushkolaj nuk pret që kryeministri Kurti të heqë dorë nga qëndrimi i tij kundër formimit të Asociacionit – së paku jo tash për tash.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka për qëllim që çdo marrëveshje, që do të nënkuptonte zbatimin e më shumë të drejtave për serbët e Kosovës, ta shtyjë deri në njohjen nga Serbia ose që një gjë e tillë të bëhet pjesë e pakos së marrëveshjes përfundimtare.
“Assesi tash, kur Serbia nuk e njeh Kosovën, sepse një organizim i tillë [më shumë të drejta për serbët] do të ishte i rrezikshëm për integritetin dhe sovranitetin e vendit”, thotë Mushkolaj.
Edhe Demhasaj, edhe Mushkolaj vlerësojnë se një pjesë të përgjegjësisë për mosavancimin e Kosovës dhe të Serbisë në dialog, brenda një afati solid kohor, e ka Bashkimi Evropian.
Sipas tyre, qasja e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, për moszgjerim deri në një afat të pacaktuar, i ka destimuluar Kosovën dhe Serbinë që t’i rrisin përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur në vitin 2011.
Deri më tash, në kuadër të këtij dialogu, janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik, por jo të gjitha prej tyre zbatohen në terren.
Escobar dhe Lajçak do të vazhdojnë të udhëtojnë të mërkurën drejt Serbisë, për takime me udhëheqësit e atjeshëm./ REL