Brenda muajit Mars do të hapet Spitali i ri Pediatrik në Elbasan, pjesë e investimeve të qeverisë për rijetësimin e rrjetit të pediatrive dhe materniteteve në vend.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Ogerta Manastirliu, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Partisë Socialiste dhe drejtuesin politik të qarkut të Elbasanit Damian Gjiknuri dhe kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, kanë inspektuar Spitalin e ri Pediatrik në Elbasan.
“Është një investim që do t’i vlejë qarkut të Elbasanit, do të ngrejë standardin e shërbimit, kushtet e punës për mjekët dhe infermierët arrijnë nivelet dhe standardet bashkëkohore. Duam që ta hapim në muajin mars këtë investim të ri”, tha Manastirliu.
Duke folur për rritjen e cilësisë dhe standardin e shërbimit, Manastirliu tha se në Spitalin Rajonal Elbasan, falë investimeve të fundit, do të ofrohen shërbime universitare, teksa do të vijojë forcimi i kapaciteteve me burime njerëzore në spitalet rajonale.
Sekretari i përgjithshëm të Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, ka vlerësuar punën dhe investimet e qeverisë për shëndetësinë në qarkun Elbasan: “Realisht kjo vepër është shumë e mirëpritur për qarkun e Elbasanit. Elbasanllinjtë janë dëshmitarë vetë për transformimin që ka pësuar spitali”, tha Gjiknuri.
Gjatë inspektimit në Spitalin e Elbasanit, Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e investimit në shërbimin e laboratorëve, që po shtrihet në të gjithë spitalet rajonale dhe dy spitale bashkiake.
“Nga rreth 50 analiza që bëheshin në këtë spital, si në çdo spital rajonal, sot bëhen mbi 160 lloje analizash dhe janë ekzaminime laboratorike me standarde që po i garantojmë për të gjithë spitalet rajonale, universitare dhe dy spitalet bashkiake, që është spitali i Lushnjes dhe ai i Sarandës”, tha Manastirliu.
“Kjo është një nga gjërat që në thonjëza akuzojnë, pse qeveria ka bërë partneritet publik- privat për të krijuar këtë laborator në Elbasan si edhe në spitale të tjera dhe për ata që ngrejnë akuza të tilla duhet të kuptojnë që këto shërbime janë për publikun. Dikur qytetari vinte këtu dhe ofroheshin një minimum analizash, jo më shumë se 50 në rastin më të mirë, dhe çfarë ndodhte më të tjerët, të tjerët shkonin në privat, dhe i paguanin me lekë, tashmë i kanë këtu falas”, tha Gjiknuri.
Pas përfundimit të Pediatrisë së Durrësit, investimit madhor për rindërtimin dhe zgjerimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, rikonstruksioni i Pediatrisë së Elbasanit është një tjetër investim për modernizimin e shërbimit shëndetësor për fëmijët, afër vendbanimit. Pediatria e re e Elbasanit do të ketë 75 shtretër dhe do të jetë një spital i standarteve bashkohore dhe miqësor me fëmijët. Sa i takon shërbimit laboratorik, rrjeti i ri i laboratorëve nëpërmjet partneritetit publik-privat tashmë është shtrirë në 16 spitale universitare, rajonale dhe bashkiake, ndërsa pritet të shtrihet edhe në dy spitale rajonale.