Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot se është ende herët për të shpallur fitoren ndaj virusit, ndërsa situata po monitorohet në dinamikë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve për rivlerësimin e masave anti-COVID.
E pyetur nga gazetarët për rishikimin e masave anti-COVID, Manastirliu tha se “është ende herët për të shpallur fitoren, është ende herët për të lëshuar të gjitha masat jo mjekësore, por nga ana tjetër ajo çfarë duhet dhe çfarë po bëjnë vendet është një vlerësim epidemiologjik mbi bazën e situatës lokale dhe ka disa vende që kanë marrë vendimin për të lehtësuar këto masa”.
Sa i përket masave, Manastirliu tha se “konsiderohen të intensitetit të ulët dhe mesatar. Situata po vlerësohet në mënyrë dinamike, është aktualisht një situatë që na bën të jemi të kujdesshëm në raport me ato hapa që do të marrim sa i përket lehtësimit të masave”. Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se në vendin tonë mbizotëron qarkullimi i variantit Omicron, ndërsa foli edhe për situatën e të shtruarve në spitale.
“Ne sot kemi mbi 18 mijë raste aktive të cilat janë në masën 98% me variantin Omicron dhe gjithashtu situata në spitale është e qëndrueshme”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se Komiteti Teknik do të mblidhet së shpejti për të rivlerësuar afatin 6-mujor të dozës përforcuese dhe uljen e ditëve të izolimit.
“Sa i përket dozës përforcuese, e cila ka dhënë shumë garanci në raport me uljen e shtrimeve dhe gjithashtu me uljen e formave të rënda, Komiteti i Ekspertëve është duke e vlerësuar rishikimin e bërjes së dozës përforcuese përpara afatit 6-mujor. Gjithashtu po vlerësohen edhe ditët e izolimit, në kuadër të variantit të ri Omicron, duke vlerësuar periudhën e karantinimit, që besoj se nga Komiteti i Ekspertëve do të ketë shumë shpejt një vendim për të dy këto elemente”, tha Manastirliu. Aktualisht janë mbi 2.6 milion vaksinime të kryera deri tani. Për sa i përket vaksinimit të popullatës target +16 vjeç, janë vaksinuar rreth 56% e kësaj popullate me një dhe dy doza.