Tiranë, 3 Shkurt – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ftuar deputët e Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar ratifikimin e Konventës 190 “PËr dhunën dhe ngacmimin” e cila sipas ministres do të sjellë një standard të ri në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe në mënyrë të veçantë në mbrojtje të të drejtave të individit, punonjësve në mjediset e punës.

“Ratifikimi i kësaj konvente nga ana jonë, e këtij dokumenti kaq të rëndësishëm kërkon nga shtetet anëtare marrjen e masave legjislative, politike si edhe hartimin e programeve për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga miratimi i kësaj konvente. Kjo Konventë ka si objektiv ndërmarrjen e masave në rang kombëtar dhe ndërkombëtar për krijimin e një mjedisi miqësor për punonjësit larg diskriminimit për shkaqe gjinie, race, etnie, mendësie, aftësie të kufizuar në ambientet e punës”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se fuqizimi i grave dhe vajzave mbetet prioritet i qeverisë, Manastirliu tha se janë marrë një sërë masash në këtë drejtim përfshirë dhe Ligjin për Barazinë Gjinore.

“Për t’u përmendur këtu ligji për barazinë gjinore për të cilin dëshiroj të theksoj se qëllimi, fusha e veprimit dhe dispozitat për mbrojtjen dhe garantimin e barazisë gjinore sigurojnë mbrojtje efikase ndaj diskriminimit me bazë gjinore si dhe ndaj çdo forme sjelljeje që nxit këtë diskriminim. Përmes përcaktimit të masave për të siguruar mundësi të barabarta për gratë dhe burrat dispozitat e këtij ligji synojnë eliminimin e diskriminimeve me bazë gjinore ne çfarëdo lloj forme që mund të haset, si dhe adreson barazinë gjinore dhe mbrojtjen nga diskriminimi në fushat e arsimit, punësimit dhe medias”, tha Manastirliu.

Manastirliu në fjalën e saj tha se Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2030 ka parashikuar edhe masa të cilat kanë lidhje me njohjen e kësaj Konvente për çeshtje specifike që lidhen me fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave.

“Rritjen e aksesit për gratë e të gjitha grupeve për punë të denjë në sektorë jo tradicionalë në veçanti sektorët e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe në sektorë ku mbizotëron puna e gravë përfshirë tranzicionin e grave drejt ekonomisë formale dhe mbështetjen e tyre nga sistemet e mbrojtjes. Përmirësimin e politikave, të kuadrit ligjor dhe aksesit në shërbimet e kujdesit shoqëror duke bërë të mundur ndarjen e barabartë të punës dhe kujdesit familjar midis grave dhe burrave. Përdorimi në mënyrë të barabartë të mjeteve digjitale publike nga gratë, burrat, vajzat dhe djemtë me pjesmarrjen e plotë dhe të barabartë në ekonominë digjitale të grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha grupet”, tha Manastirliu duke shtuar se përmbushja e këtyre objektivave do të sjellë balancimin dhe ndarjen e punëve të papaguara të përkujdesit në familje.