24 Shkurt, Tiranë- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka pritur në një takim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, mjekë të punësuar rishtazi në sistemin shëndetësor public, përmes portalit mjeke.shendetesia.gov.al.
Duke vënë theksin tek procesi transparent dhe meritokratik, Manastirliu tha se nga viti 2021 e deri më sot, janë punësuar mbi 370 mjekë në sistemin shëndetësor publik.
“Fakti që në sistemin tonë shëndetësor publik kemi një numër të konsiderueshëm mjekësh të përgjithshëm që i janë shtuar sistemit dhe padyshim është një lajm gjithmonë shumë i mirë. Janë më shumë se 320 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë të punësuar gjatë 2021 dhe për dy muajt e parë të vitit deri tani që po flasim, janë 51 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë të punësuar”, tha Manastirliu.
Gjatë takimit me mjekët e rinj, Manastirliu theksoi se me krijimin e Agjencisë se re të Standadeve dhe Kujdesit Shëndetësor, mjekët e rinj do të përfshihen në programe mentorimi dhe trajnimi, për edukimin në vazhdim të tyre.
“Ajo çfarë është e rëndësishme për ju dhe për qytetarët që presin shërbime cilësore, është pikërisht cilësia e shërbimit dhe shërbimi më i mirë i mundshëm që mjekët kanë për të ofruar në strukturat e kujdesit shëndetësor dhe për këtë arsye ne kemi vlerësuar që me Agjencinë re të Standadeve dhe Kujdesit Shëndetësor, të mundemi t’ju përfshijë edhe mjekët që janë përfshirë rishtazi në strukturat tona të kujdesit parësor, në programe të mentorimit. Pra mjekë që kanë më shumë eksperiencë t’ju qëndrojnë afër për të mbështetur punën tuaj”, u shpreh Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë ka bërë me dije se pagat e mjekëve dhe infermierëve do të rriten sërish në muajin korrik të këtij viti me 6%, teksa rritja do të vijojë përgjatë këtij mandat qeverisës me 40%.
“Ashtu siç kemi bërë rritjen e vazhdueshme të pagave -vetëm përgjatë vitit 2021 ne rritëm me 40% pagat në sistemin shëndetësor public- do të vijojmë me rritjen e pagave dhe këtë vit, edhe në vitet në vazhdim. Duke filluar nga muaji korrik do ti rritet 6 përqind paga për të gjithë personelin mjekësor, infermieror në shëndetësi, një rritje që prek 18 mijë infermierë dhe mjekë në gjithë vendin. Nga ana tjetër ne planifikojmë që në 4 vitet e ardhshme rritja e pagave të vijojë sërish me 40%”, nënvizoi Manastirliu.
Në katër vitet e fundit janë punësuar 1,234 mjekë nëpërmjet Portalit mjeke.shendetesia.gov.al dhe zbatimit të kontratave nga mjekët specialistë me MSHMS. Gjithashtu janë punësuar 4,402 infermierë nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë”.