Kryeministri Edi Rama ishte sot në Romë në një takim me rektorët e universiteteve të Romës dhe rajonit të Lazios, për të nënshkruar disa marrëveshje që rrisin bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e studimeve universitare,
Rama pasi falenderoi për mikëpritjen rektorin dhe ekipin të tij, pohoi se është një çast shumë i rëndësishëm, sepse janë së bashku në Itali për të vazhduar përpjekjet në krijimin e bashkëpunimeve të reja që hapin dyert për një të ardhme më të mirë.
“Është e rëndësishme të shohim të gjitha hapësirat për të ndërkombëtarizuar më shumë universitetet tona. Për t’u dhënë të rinjve shqiptarë, por edhe të rinjve të tjerë në rajonin tonë dhe pse jo dhe të rinjve italian, mundësinë për të studiuar në Shqipëri dhe për të pasur në dispozicion programe me një cilësi të ngjashme me atë që kanë në Itali.” shtoi ai.
Kryeministri u shpreh se: “Janë të shumta ngjashmëritë mes Shqipërisë dhe Italisë në këtë fushë, siç është problemi i ikjes së të rinjve italianë, sidomos atyre të qendrës së Italisë dhe të jugut, drejt veriut të Italisë dhe veriut të Europës. Është e përbashkët sfida e rëndësishme për t’i dhënë drejtim dhe orientim këtij problemi, në një mënyrë racionale pa rënë në kurthin e politikave të kaluara.”