Atli Hoxha është një prej protestuesve në lagjen “5 maji” që preket nga ndërtimi I projektit të ri. Por edhe pse në media deklaron se nuk po përfiton asgjë, dokumentet tregojnë krejt të kundërtën.
Ai jo vetëm që do të përfitojë kompensim të plotë për metrat katror që ka tashmë, por edhe ka firmosur që ka marrë njoftim dhe ka gati kontratën për ta firmosur.
Aktualisht, Atli Hoxha posedon 372 m2 banesë si dhe 124 m2 truall. Ndërkaq, në bazë të kontratës së re të ofruar nga ana e Bashkisë së Tiranës, atij i është ofruar kompensim i plotë, pra 496 metra katror ndërtim të shoqëruar me dokumentacion të plotë.
Edhe xhaxhai i tij, Ivzi Hoxha, përfiton kompensim të plotë edhe pse ka një ndërtim pa leje. Sipas kontratës e cila është bërë gati nga ana e Bashkisë së Tiranës dhe pret vetëm firmën e Ivzi Hoxhës te njësia bashkiake, Hoxha do të përfitojë kompensim të plotë, pra po 505.0 m2, në pallatet e reja.
Kompensimi
Në bazë të vendimit të miratuar nga qeveria, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zone.
“Shpronësimin për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit për zhvillimin e zonës së re, në përputhje me planin e detyruar vendor, përmes kompensimit me shkëmbim, për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi projektit “Për zonën e re për zhvillim, në njësitë administrative 4 dhe 8, zona ‘5 Maji’, Bashkia Tiranë”. Pronarët e pasurive të paluajtshme shpronësohen, përmes kompensimit me shkëmbim, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”, thuhet në pikën 1 dhe 3 të vendimit Nr. 533, datë 22.9.2021.
Përfitues nga ky projekt do të jenë edhe familjet, të cilat kanë pasur ndërtime pa leje, duke u shpronësuar 100% e sipërfaqes së objektit pa leje. “Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100% e sipërfaqes së objektit pa leje, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme do të jetë në përfundim të realizimit të projektit “Për zonën e re për zhvillim, në njësitë administrative 4 dhe 8, zona ‘5 Maji’, Bashkia Tiranë”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Për të lehtësuar këtë periudhë, Bashkia ka marrë përsipër dhe dhënien e bonusit të qirasë për banorët që preken, derisa ata të marrin në dorë çelësat e banesave të reja Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re urbane për plot 11 mijë banorë, me apartamente cilësore, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe, godina institucionesh, parqe.