Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha në përfundim ta mbledhjes së qeverisë se është miratuar plani kombëtar për vitet 2022-204, i cili sipas ministres, do të ketë objektiv të dyfishtë.

“Këshilli i Ministrave miratoi sot Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024 (PKIE 2022 – 2024).

Ky dokument përbën një nga instrumentet më të rëndësishme përsa i përket planifikimit dhe monitorimit të rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe nga procesi i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Plani ka një objektiv të dyfishtë. Së pari, ai do të shërbejë si instrument i planifikimit të plotësimit të detyrimeve të lindura nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që përcakton detyrimin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Evropian në përputhje me afatet e përcaktuara nga kjo Marrëveshje.

Së dyti, ky plan, bazuar në marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ka si pikësynim final përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian si një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ky është një vit vërtet i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, kur presim që Bashkimi Europian të gjejë rrugën për t’i tejkaluar ngërçet që e bënë të pamundur që Shqipëria të merrte hapjen e negociatave që i ishte premtuar gjatë vitit 2021. Ne si Shqipëri nga ana tjetër, kemi bërë e do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që na takon të bëjmë e që kemi marrë përsipër për të çuar përpara europianizimin e vendit duke shpresuar që të njëjtën gjë do të bëjë edhe Bashkimi Europian”, tha ministrja.

E pyetur se “Çfarë do të mbajë projekt-rezoluta e Shqipërisë sa i përket konfliktit të Ukrainës me Rusinë?, ministrja Xhaçka u shpreh se “Nuk ka ende një projekt-rezolutë të draftuar, por jemi në fazën ku kemi dakordësuar një bashkëpunim të ngushtë me SHBA, ku do të jemi të dyja palët bashkëhartues, duke thelluar një marrëdhënie strategjie”.