398,610 qytetarë kanë dhënë përgjigje deri tani për 12 pyetjet në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video me opinione të qytetarëve për pyetjen nëse nënat që rrisin tre ose më shumë fëmijë të mitur duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti.
Qytetarët e intervistuar mbështesin idenë se shteti duhet të përkrahë nënat me tre ose më shumë fëmijë të mitur.
“Super. 398,610 qytetarë janë përfshirë deri tani në Këshillimin Kombëtar ku kanë dhënë opinionet e tyre përmes platformës www.keshillimikombetar.al dhe kanë kthyer me postë pyetësorët e plotësuar. Ja disa përgjigje me video të qytetarëve për pyetjen nëse nënat që rrisin tre ose më shumë fëmijë të mitur duhet të përfitojnë mbrojtje të veçantë sociale nga shteti”, tha Rama.
Në 5 janar të këtij viti, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.