Një njoftim zyrtar ka publikuar para pak çastesh Ministria e Jashtme greke për shtetasit e saj që ndodhen në Ukrainë, si dhe për shtetasit grekë që dëshirojnë të shkojnë atje në ditët në vijim.
Njoftimi është hartuar pas një mbledhje urgjente në Ministrinë e Punëve të Jashtme të thirrur nga kryediplomati grek Nikos Dendias, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Panagiotopoulos, ministrja e Arsimit dhe Besimeve Fetare, Niki Kerameos, dhe zv.ministri i Jashtëm, Andreas Katsanias.
Sipas këtij njoftimi: Ministria greke e Punëve të Jashtme dekurajon fuqimisht të gjitha udhëtimet në të gjithë territorin e Ukrainës dhe në të njëjtën kohë u rekomandon qytetarëve grekë qe ndodhen atje që të largohen menjëherë nga vendi.
Qytetarët grekë që nuk janë larguar, tashmë këshillohen që të deklarojnë menjëherë detajet e tyre te kontaktit në Ambasadën Greke në Kiev.
Në këtë rast theksohet se stafi i Ambasadës së Kievit është reduktuar dhe punon vetëm me personelin e nevojshëm,ndërsa në të njëjtën kohë, stafi i Konsullatës së Përgjithshme greke të Mariupolit, do të përforcohet.
Vlen te përmendet se në Ukrainë, rreth qytetit Mariupoli, jeton një komunitet homogjen grek i njohur prej Ukrainës që llogaritet nga 100.000- 150.000 vetesh dhe Greqia mban një lidhje te fuqishme me ta, ndaj dhe është e interesuar në mënyrë te drejtpërdrejtë për fatin e tyre siç ka theksuar edhe në vizitën që ka bere para disa ditësh ministri i Jashtëm Nikos Dendias atje.
Ndërsa me interes te madh pritet vizita e kreut te diplomacisë greke në Moskë në 18 shkurt sic është njoftuar nga burimet e ministrisë së Jashtme.