Drejtuesit e UEFA-s do të marrin një raport të plotë me të gjitha manipulimet dhe ndërhyrjet që po i bëhen zgjedhjeve në Federatën Shqiptare të Futbollit. Luca Nicola, shefi i qeverisjes së federatave anëtare të UEFA dhe një prej anëtarëve të delegacionit që ka ardhur në Shqipëri për të monitoruar procesin thekson se po vlerësojnë seriozisht rastet. Gjithashtu, zyrtari i lartë i UEFA-s thekson se pasi të njihen me të gjitha problematikat dhe dokumentacionin e procesit zgjedhor, misioni i UEFA -s do të përgatisë një raport të detajuar që do të t’i paraqitet Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin.

“Së pari, për të shpjeguar kontekstin e misionit tonë, ne kemi ardhur në vijim të vizitës së fundit të presidentit të UEFA-s në Shqipëri ku ai u takua me Kryeministrin e Shqipërisë si dhe e Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ne mbërritëm të hënën dhe objektivi i misionit tonë është të vlerësojmë procesin zgjedhor të FSHF-s, si edhe Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të planifikuar për t’u zhvilluat më 2 mars 2022. Gjithashtu, ky mision përfshin edhe vlerësimin e rasteve të mundshme të ndikimit të papërshtatshëm nga palët e treta në procesin zgjedhor. Sapo misioni ynë të përmbyllë vizitën, do të përgatisim një raport për drejtuesit e UEFA-s dhe bazuar në këto gjetje ne do t’i komunikojmë FSHF-së qëndrimin e UEFA-s”, deklaron Luca Nicola.

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar zgjedhjet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit për Shoqatën Rajonale të Tiranës duke i cilësuar ato të manipuluara. Gjykata ka njohur asamblenë e thërritur nga kryebashkiaku Veliaj dhe ka regjistruar Eduard Prodranin si drejtues të Shoqatës Rajonale të Tiranës. Në vendimin e saj, Gjykata i ka dhënë të drejtë kryebashkiakut Veliaj duke njohur manipulimet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.