Ka ndërruar jetë gjatë paradites së djeshme, motra e shkrimtarit Ismail Kadare, Kadrije Kadare. Sot çifti Kadare, si dhe miq të familjes e kanë përcjellur për në banesën e fundit në Sharrë. Në moshë të thyer, ajo çka e ka rënduar edhe më tepër gjendjen e redaktores ka qenë humbja e të vëllait, Shahinit. Mikesha e saj Nadire Buzo, shkruan se çifti Kadare, është kujdesur për “rebelen” deri në çastet e fundit.
Pikërisht natyra e saj për të folur hapur, edhe në kohë si diktatura, i ka krijuar jo pak tensione familjes Kadare. Kujtojmë se sistemi komunist i kishte hapur edhe dosje, si e dyshuar “Për agjitacion dhe propagandë” apo se u shërbente agjenturave të huaja. Vetë Kadare është detyruar t’i shkruajë letër diktatorit Enver Hoxha, duke e justifikuar se nuk ishte e kthjellët. E vetmja mënyrë kjo për ta shpëtuar nga dënimet e rënda. Kakuja, siç i thërrisnin miqtë ka qenë një natyrë e tërhequr nga jeta publike.
“Do na mungojë Kakuja, mua dhe gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të. Po më fort, vëllait Gjeni dhe Helenës me të cilët kaloi së shumti jetën. Ata u kujdesën fort për rebelen e tyre te dashur. E cila si motra e madhe nuk e përballoi dot humbjen e vëllait të vogël doktor Shahinit. Që kujdesej për të në mungësë të Z. Kadare. Edhe sot u përcoll si një Princeshë, prej të dashurve të saj të zemrës dhe miqve të mirë që nuk i përmbanin dot lotët. Perëndia qoftë me ne, kur prap takohemi!”, shkruan mika e saj.