Ndahet nga jeta shkrimtari Bardhyl Londo në moshën 74-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Prej dy muajsh ishte i shtruar në spitalin Onkologjik në Tiranë. Gjatë 10 ditëve të fundit për shkak se situata e tij ishte përkeqësuar, është mbajtur në reanimacion, ku edhe dha frymën e fundit.
Akademia e Shkencave pas marrjes së lajmit të hidhur e ka nderuar Bardhyl Londo me një minutë heshtje.
Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike.
Shpesh politika ndihet dhe në vargjet e tij të vona, të fokusuara më shumë te sfidat me të cilat është përballur vendi.
Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai bënte shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike.