Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikes, ka thënë për mediat se një nga vendimet e marra është hapat shtesë në ndihmë të aviacionit civil dhe autoriteteve që i monitorojnë ato.
Sipas ministres, në Shqipëri ka përfunduar ndërtimi i Aeroporti të Kukësit, si dhe është në ndërtim e sipër Aeroporti i Vlorës, që sipas saj, bashkë me tunelin e Llogarasë do i japë një rritje ekonomike banorëve të zonës, por edhe gjithë Shqipërisë.
“Shqipëria në 3 vitet e fundit ka bërë hap në aviacionin civil duke nisur me ndërtimin e Aeroportit të Kukësit, duke e bërë kështu këtë aeroport funskional dhe si rrjedhojë uljen e çmimit të biletave. Sot qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt Britanisë me vetëm 70 euro. Nisja e punimeve në Aeroportin e Vlorës është një hap i rëndësishëm. Ajo së bashku me tunelin e Llogarasë ka një rëndësi të madhe ekonomike, jo vetëm për banorët e zonës, por të gjithë Shqipërisë.
Pra programi që përfshin sigurinë ajrore do i japë mundësi autoritetet civil të ndjekë nga afër operatorët që ofrojnë shërbimet, për t’i pasur të monitoruar dhe për të dhënë penalltitë e duhura, kur rregullat shkelen”, tha ministrja.
E pyetur se çfarë do të ndodhë me banorët e Paskuqanit, që u rrezikohet banesat nga projekti i unazës së madhe, ministrja Balluku tha:
“Fjala devijim nuk e kuptova nga doli. Pyetja u bë duke dhënë projektin e unazës dhe devijimin. Ju e parashtroni këtë pyetje në mënyrë jo të drejtë, e i shqetësoni ato banorë, që me të drejtë janë. Nuk ka një devijim. Ky është projekt i vitit ‘86-ë.
Është një draft-projekt. Të gjithë banorët e zonës verilindore nuk kanë ndonjë kontakt të veçantë me qeverinë. Sa i përket programit me shumë të drejtë banorët kanë pyetje dhe pyetjet do të marrin përgjigje. Qeveria ka ndërtuar mijëra banesa për të pastrehët nga tërmeti. Nuk do të qëndrojë dikush në rrugë, qoftë ata që janë me legalizime dhe pa legalizime. Për këta të fundit po punojmë për një instrument që do të akomodojnë ato familje që preken nga projekti. Të gjithë banorët që kanë ndërtuar në zonë, ata e dinin që aty do të kalonte unaza, sepse projekti është i vjetër. Por qeveria Rama ka marrë të gjitha masat”.