Grupi i Sali Berishës kanë dalë hapur kundër SHBA e BE-së, duke deklaruar votën kundër zgjatjes së afateve të vettingut. Mbështetësi i Berishës, deputeti Edi Paloka ka deklaruar votën kundër, një ditë para votohet në Kuvend për ndryshimet Kushtetuese, të propozuara nga maxhoranca. Me një postim në Facebook, Paloka e konsideron vettingun një ‘komision të përbërë nga familjarë të afërt të qeveritarëve që ka marrë vendime politike’. Sipas Palokës, reforma në drejtësi është kthyer në farsë, teksa thekson se ditën e nesërme do të kuptohet se cila është opozita e vërtetë dhe se cila është kthyer në ‘bishtin e Ramës’.
“Ne pamundësi për te qene nesër prezent ne seancën parlamentare ku do te diskutohet dhe votohet per zgjatjen e afatit te komisionit te Vetingut, po bej publik qëndrimin tim “KUNDER “! Kush voton për ti zgjatur jetën një komisioni te përbëre nga familjare te afërt te qeveritareve, i cili ne te gjithë aktivitetin e tij ka marre vendime politike , duke kthyer ne farse reformën ne drejtësi, është thjeshte shërbëtor i Rames ne kapjen e plote te drejtësisë ! Deputetet qe janë ne atë Parlament me votën e demokrateve , nuk mund te bëhen pjese e një procesi te tille. Neser do te jemi përpara një fakti tjetër qe do te tregoje qartazi se cila eshte opozita e vërtetë dhe kush është kthyer ne bishtin e Ramws me zi se ‘opozita e kerperates dhe jenisherit'”, shkruan Paloka.
Deklarata e Palokës vjen vetëm pak ditë pasi edhe Berisha deklaroi në media se do votojë kundër zgjatjes së afateve të vettingut. Kujtojmë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka ushtruar presion që zgjatja e afateve të vettingut të votohet. Ditën e djeshme, SHBA dhe BE përmes një deklarate të përbashkët i bëjnë thirrje deputetëve që të votojnë të gjithë pro këtyre ndryshimeve. Ata nwnvizuan se reforma në drejtësi po jep rezultate dhe edhe falë saj vendi ka bërë shumë përparim. Të njëjtin mesazh dha po dje edhe ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf.
Në qershor të 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit njohur si vetingu në shkallën e parë, i skadon afati, në një kohë që gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk i janë nënshtruar ende procesit të verifikimit për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Afati i këtij institucioni ishte 5 vite, për shqyrtimin e figurës së afro 800 subjekteve, gjë që nuk u arrit në kohë. Për këtë arsye mazhoranca ka artikuluar se do të kërkojë shtyrjen e afatit të trupës së shkallës së parë të vetingut dhe komisionerit publik, ndërsa i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojnë në këtë aspekt. Kushtetuta ka parashikuar kur KPK-së i mbaron mandati, puna i kalon KLP-së dhe KLGJ-së. Por nga socialistët është argumentuar se mirë do të ishte zgjatja e mandatit pasi kur proces i filluar nga ky komision pra vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të mbyllet nga ky komision.