Nga Eduard Zaloshnja

Qysh kur Basha u zgjodh kryetar i PD-së më 2013 (me përkrahjen pothuaj të hapur të Berishës), qarkullonte nëpër kafenetë shqiptare thënia e kthyer në mit: “Po të kundërshtojë Berishën, Bashën e ndalon tek dera edhe roja e ShQUP-it”. Në fakt, ky mit ishte ndërtuar mbi përvojën e ish-kryetarëve formalë të PD-së në të shkuarën, si Eduard Selami e Tritan Shehu.

Por dështimi Berishës më 6 janar për të marrë në zotërim SHQUP-in përmes “përmbaruesve demokratë”, siç i quajti ai 44 mijë votuesit e pretenduar të referendumit të 18 dhjetorit, e rrëzoi mitin e mësipërm. Dhe nuk ishte Policia e Shtetit shkaku kryesor i mosmarrjes në zotërim të SHQUP-it nga Berisha – ishte pjesëmarrja shumë e ulët në protestë e 44 mijë “përmbaruesve” të pretenduar prej tij…

Në pamundësi të marrjes në zotërim fizik të SHQUP-it, Berisha ka shansin të tregojë se ka në zotërim elektoratin opozitar, përmes votimit në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Të mos harrojmë se më 6 mars do të votohet në dy bashki veriore, dy të Shqipërisë së Mesme, një gjysëm jugore, dhe një jugore – për më tepër, Durrësi dhe Vora janë bashki me shumë banorë të shpërngulur nga të gjitha krahinat e vendit).

Që ta demonstrojë zotërimin në elektoratin opozitar, Berishës i duhet që kandidtët e përzgjedhur përmes “primareve” të tija (e të përkrahur nga LSI-ja) të kenë një epërsi dërrmuese ndaj kandidtëve të SHQUP-it zyrtar. (Bëhet fjalë për garën në gjysmën opozitare të elektoratit të 6 bashkive, sepse gjysmën tjetër e zotëron Rama përmes patronazhistëve, që sipas tij, e kanë filluar punën tashmë në terren.)

Së afërmi pritet të publikohen sondazhe statistikore rreth shpërndarjes së votave ndër kandidtët e ndryshëm të 6 bashkive, e kështu, do të kemi një ide të përafërt sesi do të ndahen votat mes kandidatëve të Berishës e të Bashës. Sidoqoftë, sondazhet që janë publikuar deri më sot në nivel kombëtar tregojnë se mes vetë Berishës e Bashës nuk ka një diferencë të madhe në përkrahje popullore, sidomos pas 8 janarit…