I dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja kanë bashkëpunim të ngushtë dhe kjo vizitë e përbashkët është dëshmi e kësaj. Ai ka thënë se të dyja palët duan që Kosova dhe Serbia ta lënë të kaluarën prapa dhe t’i normalizojnë marrëdhënieve.

“Ne e shohim dialogun si prioritet kyç në Ballkanin Perëndimor dhe besojmë që normalizimi i marrëdhënieve jo vetëm që do të zgjidh çështjet e pazgjidhura, por do të kontribuojë në stabilitetin në rajon por do të sjellë përfitime për qytetarët. Do të krijojë vende punë, do ta zhvillojë ekonominë. Dy ditët e kaluara kanë qenë shumë produktive. E kemi bërë të qartë se ne e respektojmë parimet e Kosovës në dialog. Ne po ashtu kemi thënë se ne kemi pritur progres më të shpejtë në dialog vitin e kaluar por shpresojmë që të jetë kështu këtë vit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se kanë të gjitha elementet që të presin një dialog më të shpejtë. Sipas tij, dialogu nuk është çështje e Qeverisë por është jetike për Kosovën. Lajçak ka thënë se edhe shoqëria civile mund të luaj një rol shumë të rëndësishëm.

Nga ana tjetër përfaqësues special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se kjo administratë bashkë me të mëhershmet të SHBA-ve mbështet fuqishëm pavarësinë, sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës. Ai ka thënë se si Kosova dhe Serbia do të arrijnë në një periudhë të normalizimit duhet t’i lihet dialogut. Escobar është shprehur optimist lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi.

“Mendoj se në këtë rol si përfaqësues special është me rëndësi të bëjë vizitën e parë në Kosovë me të për të treguar unitet, përkushtimin ndaj dialogut, ndaj një të ardhme në të ndritshme si për Serbinë e Kosovën. Jemi takuar me udhëheqësit gjatë vizitës, kemi pasur takime shumë produktive. Në fund të këtij procesi shpresojmë se rezultat do të jetë një zgjidhje që do të jetë e mirë për të dyja. Kam besim se mënyra se si gjërat më duken e përkushtimi i partnerëve tanë bashkë me mbështetjen e amerikanëve këtë proces do të arrijmë”, ka thënë ai.