Posta Shqiptare përmes një pyetësori të drejtuar qytetarëve po synon të mbledhë informacion për mënyrën se si të përmirësojë shërbimet e saj për qytetarët.
Posta ka hartuar një pyetësor, shpërndarja e të cilit ka nisur prej ditës së sotme edhe fizikisht në zyrat postare mbi shërbimet ekzistuese dhe ato të reja që mund të marrin pranë zyrave të postës shqiptare.
Ky pyetësor përmban 21 pyetje nëpërmjet të cilave qytetarët mund të shprehin mendimin e tyre mbi cilësinë e shërbimeve që kompania ofron, si dhe mënyra e komunikimit me klientët.
Formulari përmban pyetje se cili është shërbimi që përdorin më shumë në zyrat e Postës Shqiptare dhe sa të kënaqur janë qytetarët me cilësinë e ofrimit të shërbimeve postare.
Posta Shqiptare sh.a si shoqëria më e madhe tregtare që operon në tregun e shërbimeve postare dhe financiare në vend, një prej çështjeve për të cilat pyet qytetarët është nëse i përdorin shërbimet financiare dhe të biznesit dhe se sa të kënaqur janë me këto shërbime.
Përmes pyetësorit Posta pret të marrë edhe një informacion se çfarë shërbimesh të tjera mund të kryhen në Postën Shqiptare që mund t’u vijnë në ndihmë qytetarëve, nëse e njohin aplikacionin e-Posta, portofoli elektronik nëpërmjet të cilit klientët aksesojnë shërbimet e ofruara nga Posta shqiptare pa qenë nevoja të paraqiten fizikisht në zyrat postare.
Gjithashtu nëpërmjet këtij pyetësori qytetari pyetet edhe për komunikimin e punonjësve të shërbimit në sportel dhe sa të shpejtë janë në kryerjen e shërbimit.
Që në emërimin në këtë pozicion, Administratori i Postës Shqiptare Ervin Bushati ka theksuar angazhimin që qytetarët të marrin shërbimin në çdo zyrë postare në kushte optimale me infrastrukturën e duhur dhe logjistikë bashkëkohore.
Posta Shqiptare ofron rreth 90 shërbime me 533 zyra postare në të gjithë Shqipërinë.
Qytetarët mund ta plotësojnë pyetësorin edhe online në web-siten e Postës Shqiptare.