Futbollisti i ri i Juventusit, Dusan Vlahovic, i ardhur nga Fiorentina, doli sot në konferencën për shtyp në stadiumin “Allianz”. Sulmuesi serb mori i pari fjalën: “Mirëmëngjesi të gjithëve. Dua të falënderoj Fiorentinën dhe të gjithë njerëzit që kanë qenë atje; shokët e mi të skuadrës nga të rinjtë dhe ekipi i parë, të gjithë drejtorët, presidentët dhe trajnerët që kanë qenë me mua ndër vite.

Dua të përmend trajnerin Italiano, që më ndihmoi shumë dhe ishte me mua deri në fund. Falënderoj edhe Prandellin, që ka qenë gjithmonë me mua. Falënderoj qytetin që më ka mbështetur gjithmonë dhe në këmbim kam dhënë gjithçka, deri në momentin e fundit. Falënderoj fansat që më kanë mbështetur në të mirë dhe në të keq”.

Ndjenjat e këtyre ditëve të para bardhezi?
Jam i emocionuar dhe krenar që kam nënshkruar me Juven, një klub i lavdishëm. Jam gati të jap maksimumin për të arritur rezultate të shkëlqyera. Falënderoj presidentin dhe të gjithë njerëzit që më sollën këtu.

Pse zgjodhët Juven?
Shumë ekipe të huaja më kërkuan, por zgjedhja ishte e lehtë. Në ADN-në e Juves është lufta deri në fund, vuajtja për të fituar deri në fund dhe kjo është pjesë e karakterit tim. Kjo është arsyeja pse zgjedhja nuk ishte e vështirë.

Çfarë ju ka magjepsur te Juve?
Juve është klubi më i madh në Itali. Jam i lumtur këtu, vendosi dëshira për të synuar më lart dhe për të mos u dorëzuar kurrë. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme dhe për këtë jam shumë i lumtur këtu.

Ju stërviteni shumë edhe larg skuadrës…
Sot, çdo detaj bën diferencën, e kam fiksuar mirë këtë në kokën time. Bëj gjithçka për t’u përmirësuar. Kur nuk jam në fushë, punoj shumë edhe mendërisht. Stërvitja ime është e përditshme. Futbolli është gjithçka për mua.

Fanella me numër 7 do të thotë Ronaldo. A keni presion?
Të gjitha fanellat e Juventusit peshojnë. Erdha këtu për të ndihmuar shokët e skuadrës, të vihem në dispozicion të trajnerit dhe të arrijmë qëllimet së bashku. Numri i fanellës nuk është i rëndësishëm, rëndësi ka ajo që bëjmë ne si futbollistë në fushë. Gjërat e tjera nuk më interesojnë shumë. Gjëja më e rëndësishme është të fitosh.