Nga: Gjon Ndrejaj
Kam shkruar disa herë për pagat në përgjithësi, për rritjen e tyre, për padrejtësitë dhe për pasojat që ato sjellin,madje siç kam njoftuar jam, duke u perpjekur për një punim integral në këtë fushë. Por tani është koha të futemi në thelb, në zemrën e sistemit, për të kuptuar realisht se si duhet ndërtuar ai. Pa këtë hap, debati mbetet në sipërfaqe; kush meriton më shumë, kush ankohet më shumë, kush ka fuqi negociuese më të madhe. Debati për pagat në sektorin publik shpesh bëhet në bllok, kjo nuk lejon të shohim detajet dhe probelemt që ai mbart. Flitet për “gjyqtarët” dhe “mjekët” sikur brenda secilës kategori të mos kishte nivele, përgjegjësi dhe kompleksitet krejt të ndryshëm. Kjo është e gabuar prandaj për të dalë nga ky ngërç, nuk mjafton të thuash se njëri meriton më shumë se tjetri. Duhet një metodë që e kthen pagën nga privilegj në vlerësim objektiv. Kjo metodë është vlerësimi analitik i pozicionit. Vetëm kështu mund të kalojmë nga ankesa dhe rritjet ad hoc në një strukturë të vërtetë page.
Domethënia e vlerësimit analitik të pozicionit është e thjeshtë: ai është një proces sistematik që përcakton vlerën relative të punëve duke i analizuar ato sipas faktorëve të matshëm. Faktorët kryesorë janë: njohuritë dhe aftësitë e kërkuara, kompleksiteti i punës, gjykimi dhe vendimmarrja, impakti i punës, përgjegjësia për burimet, aftësitë ndërpersonale, kushtet e punës dhe shtrirja e rolit. Nga ky vlerësim rrjedh paga bazë për pozicionin konkret, jo për grupin. Shtesat, nëse ka, duhet të jenë plotësuese dhe të kufizuara, jo paga e vërtetë. Vetëm kështu mund të krahasojmë drejt dy boshte: kirurgun e specializuar me gjyqtarin e SPAK-ut dhe mjekun e zakonshëm të spitalit me gjyqtarin e juridiksionit të përgjithshëm.
Le të bëjmë një provë nisur nga një këndvështrim i përgjithshëm pasi një vlerësim analitik konkret do të kërkonte ekzaminime të hollësishme të faktorëve.
Kirurgu dhe gjyqtari i SPAK-ut
Përgjegjësia është komponenti i parë. Kirurgu i specializuar merr vendime që prekin jetën në mënyrë të drejtpërdrejtë. Një gabim në një operacion zemre, në neurokirurgji ose në traumatologji mund të sjellë vdekje brenda minutash.Një gabim i kirurgut është i pakorrigjeshem. Gjyqtari i SPAK-ut merr vendime që prekin lirinë, pasurinë, reputacionin dhe stabilitetin institucional. Një gabim i tij mund të lirojë një të korruptuar të madh, të dënojë padrejtësisht një person ose të dëmtojë besimin në drejtësi për vite. Por një gabim i tij mund të riparohet në shkallët e tjera të gjyqësorit por të dy mbajnë përgjegjësi të madhe Në këtë komponent, pesha e përgjegjësisë profesionale të kirurgut është më e lartë. Pasojat e gabimit janë të rënda në të dyja rastet. Kirurgu mund të shkaktojë vdekje ndërsa Gjyqtari i SPAK-ut mund të shkaktojë mosndëshkim, padrejtësi dhe dëmtim të sistemit. Në terma njerëzorë, vdekja është e pakthyeshme. Në terma shoqërorë, dështimi i drejtësisë mund të ketë pasoja por jo të pariparueshme.
Kompleksiteti i punës është i lartë për të dy, por i natyrës së ndryshme. Kirurgu përballet me anatomi, fiziologji, teknologji, vendime të shpejta nën stres, aftësi manuale dhe punë në ekip. Gjyqtari i SPAK-ut përballet me ligje komplekse, prova të ndërlikuara, organizata kriminale, presione politike dhe ndërkombëtare, dhe vendime që kërkojnë arsyetim të gjatë. Të dy kërkojnë mendje të mprehtë dhe përvojë të gjatë. Nuk mund të thuhet se njëri është “më i zgjuar” se tjetri. Janë dy lloje kompleksiteti që duhen vlerësuar me pikë të ngjashme.Vendimarrja e kirurgut kërkohet të jetë e menjëhershme dhe në situatë stresi ndërsa e gjyqtarit mund të shtyhet në kohë dhe nuk ka stres.
Kualifikimi është po ashtu i krahasueshëm. Kirurgu i specializuar kalon 10-15 vjet formim; fakultet, specializim, fellowship, çertifikime, trajnime të vazhdueshme. Gjyqtari i SPAK-ut kalon po aq; fakultet juridik, shkollë magistrature, përvojë në prokurori ose gjykatë, trajnime të specializuara, përgatitje për çështje të korrupsionit të lartë. Të dy janë profesionistë të nivelit më të lartë. Kjo justifikon pagë të lartë për të dy, jo privilegj për njërin.
Kushtet e punës anojnë lehtësisht në favor të kirurgut. Ai punon me turne të gjata, natën, nën presion fizik, në kontakt me gjak, rrezik infeksioni dhe lodhje ekstreme. Gjyqtari i SPAK-ut punon nën stres mendor, presione të jashtme, rrezik për sigurinë personale dhe ngarkesë të madhe dokumentacioni. Të dy kanë kushte të vështira, por kirurgu ka edhe rrezik fizik e biologjik. Ky komponent e justifikon një pagë pak më të lartë për kirurgun, ose të paktën të barabartë.
Performanca matet ndryshe. Kirurgu matet me tregues klinikë: mbijetesë, komplikacione, rioperacione, cilësi e ndërhyrjes. Gjyqtari i SPAK-ut matet me çështje të zgjidhura, dënime të formës së prerë, afate, përmbysje në apel dhe besim publik. Të dy janë të matshëm, ndonëse jo plotësisht. Kjo do të thotë që paga e tyre mund të ketë një komponent performance, por jo të bazohet vetëm në të.
Rariteti është faktor ekonomik. Kirurgët e specializuar kanë treg alternativ privat dhe ndërkombëtar. Nëse spitali publik nuk paguan konkurrueshmërisht, ata largohen. Gjyqtari i SPAK-ut ka një rol unik, të kontrolluar dhe me alternativë të kufizuar tregu. Paga e tij duhet të jetë e lartë, por jo domosdoshmërisht më e larta në sistem. Kirurgu, për shkak të raritetit dhe konkurrencës, mund të justifikojë pagë të njëjtë ose pak më të lartë.
Përfundimi për këtë nivel; kirurgu i specializuar dhe gjyqtari i SPAK-ut duhet të kenë pagë bazë të ngjashme. me pak avantazh në favor të kirurgut. Diferenca, nëse ka, duhet të jetë e vogël dhe e justifikuar me kushte pune e raritet, jo me status. Nuk mund të pranohet që gjyqtari i SPAK-ut të paguhet 3-4 herë më shumë se kirurgu që kryen operacione jetëshpëtuese.
Mjeku i zakonshëm i spitalit dhe gjyqtari i juridiksionit të përgjithshëm
Edhe ky krahasim duhet bërë me kujdes. Mjeku i zakonshëm i spitalit , internist, pediatër, urgjentist, mjek familjeje , merr çdo ditë vendime që prekin shëndetin e njerëzve. Gabimi i tij mund të vonojë diagnozën, të përkeqësojë sëmundjen ose të shkaktojë vdekje. Gjyqtari i juridiksionit të përgjithshëm , civil, penal i zakonshëm, familjar , merr vendime që prekin jetën e qytetarëve, por shpesh në çështje më të vogla se ato të SPAK-ut. Edhe ai mund të gabojë, por pasojat janë më të kufizuara se në nivelet e larta dhe të korrigjueshme.
Kompleksiteti i mjekut të zakonshëm është i gjerë; shumë pacientë, diagnoza diferenciale, protokolle, urgjenca, punë në ekip. Gjyqtari i përgjithshëm ka ngarkesë të madhe dosjesh, procedura, ligje që ndryshojnë shpesh dhe presion për afate. Të dy janë nën stres, por mjeku shpesh punon në kushte më të rënda fizike dhe me rrezik biologjik. Ky komponent e favorizon mjekun.
Kualifikimi është i konsiderueshëm për të dy: mjeku i përgjithshëm ka 6 vjet fakultet plus 4-5 vjet specializim; gjyqtari ka 5 vjet fakultet, shkollë magistrature dhe përvojë. Të dy kërkojnë formim serioz. Paga e tyre duhet të jetë dinjitetshme dhe të mos ketë diferenca të mëdha.
Kushtet e punës së mjekut të spitalit janë shpesh më të vështira: turne, natë, fundjavë, kontakt me pacientë të rëndë, rrezik infeksioni, lodhje. Gjyqtari i përgjithshëm ka stres mendor dhe ngarkesë dokumentacioni, por zakonisht orar më të rregullt dhe pa rrezik fizik. Ky komponent e justifikon pagë të barabartë ose pak më të lartë për mjekun.
Performanca e mjekut matet me tregues klinikë, kënaqësi pacienti, komplikacione, rihospitalizime. E gjyqtarit matet me afate, cilësi vendimesh, përmbysje. Të dy janë të matshëm, por mjeku ka më shumë tregues objektivë. Edhe kjo anon në favor të mjekut.
Rariteti; mjekët e zakonshëm kanë treg privat dhe emigrim. Gjyqtarët e përgjithshëm kanë më pak alternativë, por pozicioni është i mbrojtur. Për të mbajtur mjekët në sistemin publik, paga duhet të jetë konkurruese. Kjo nuk do të thotë se gjyqtari duhet të paguhet më pak, por se diferenca duhet të jetë e vogël.
Përfundimi për këtë nivel; mjeku i zakonshëm i spitalit dhe gjyqtari i juridiksionit të përgjithshëm duhet të kenë pagë bazë të ngjashme. Nëse ka diferencë, ajo duhet të justifikohet me përgjegjësi dhe kompleksitet, jo me faktin se njëri punon në drejtësi dhe tjetri në shëndetësi. Nuk ka arsye që gjyqtari i përgjithshëm të paguhet shumë më shumë se mjeku që shpëton jetë çdo ditë.
Proporcionaliteti dhe struktura e pagave
Nga kjo ndarje del një strukturë e qartë. Nivelin e lartë e përbëjnë kirurgu i specializuar dhe gjyqtari i SPAK-ut. Nivelin e mesëm e përbëjnë mjeku i zakonshëm dhe gjyqtari i juridiksionit të përgjithshëm. Diferenca mes niveleve duhet të jetë e justifikuar me përgjegjësi, kompleksitet, kushte dhe raritet. Brenda secilit nivel, diferencat duhet të jenë të vogla. Nuk mund të ketë ndryshime dhjetëfish mes pozicioneve që kanë përgjegjësi të ngjashme.
Paga bazë duhet të pasqyrojë pozicionin konkret, jo grupin. Shtesat duhet të jenë plotësuese dhe të kufizuara, jo paga e vërtetë. Nëse shtesat kalojnë çdo proporcion, atëherë paga bëhet e pakuptueshme dhe e padrejtë. Qytetari nuk mund të dijë pse një pozicion paguhet më shumë se një tjetër, sepse diferenca nuk është në pagën bazë, por në shtesa të fshehura.
Anti-korrupsioni nuk duhet të jetë kriter page. Integriteti nuk blihet; ai ndërtohet me transparencë, llogaridhënie, ndëshkim dhe kulturë institucionale. Nëse paga e gjyqtarit rritet vetëm sepse “është i ekspozuar ndaj korrupsionit”, atëherë krijohet logjika e rrezikshme se paga e ulët justifikon korrupsionin. Kjo nuk është drejtësi, është shantazh moral.
Përfundim
Nëse do ta ristrukturoja debatin mbi pagat, do ta ndaja në dy boshte: kirurgu i specializuar me gjyqtarin e SPAK-ut, dhe mjeku i zakonshëm me gjyqtarin e juridiksionit të përgjithshëm. Sipas komponentëve të pagës ; përgjegjësia, kompleksiteti, kualifikimi, pasojat e gabimit, kushtet, performanca, rariteti; kirurgu i specializuar dhe gjyqtari i SPAK-ut duhet të jenë në të njëjtin nivel page, me një avantazh të lehtë për kirurgun për shkak të kushteve dhe raritetit. Mjeku i zakonshëm dhe gjyqtari i përgjithshëm duhet të kenë pagë dinjitetshme dhe të ngjashme, pa diferenca të mëdha.
Paga e drejtë nuk është privilegj. Është vlerësim i kontributit, përgjegjësisë, kompleksitetit dhe kushteve të punës. Shqipëria ka nevojë për një reformë që i ndan qartë këto nivele dhe i vlerëson me kritere objektive, jo me status, pushtet apo frikë nga korrupsioni. Vetëm kështu mund të kemi një sistem ku disa paguhen si në Zvicër dhe shumica si në një vend në tranzicion.










