Ministria e Arsimit ka bërë të ditur datat se kur do të zhvillohen provimet e Maturës për vitin 2022. Datat e provimeve do të jenë 9 Qershor për Gjuhën e Huaj, 11 qershor për Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë, 17 qershor për Matematikën dhe 24 qershor për lëndët me zgjedhje.
Testi i Maturës në total do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë pyetjet me zhvillim. Për sa i përket nivelit të vështirësisë 40 % të pikëve të testit do të jenë nivel i parë, 40% niveli i dytë dhe 20 % që do të bëjnë diferencën e maturantëve më të mirë të cilët duan të arrijnë rezultate maksimale.
Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 % të pikëve të testit. Vlerësimet e testeve do të bëhen brenda një kohe shumë të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar në ditët e para të korrikut.
Të pranishëm në këtë prezantim ishin gjithashtu edhe Zv. ministrja e Arsimit dhe Sportit Znj. Nina Guga, Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave, Znj. Zamira Gjini dhe drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore Znj. Aurora Balliu.
Ministria e Arsimit do të zhvillojë një tur të gjerë takimesh në qytete të ndryshme të vendit për të informuar dhe konsultuar më mirë me maturantët dhe mësuesit.