Nga Mero Baze/ Komisioni Hetimor për inceneratorët është një sukses politik i Partisë Demokratike. Është sukses, pasi për herë të parë pas kaq vitesh, një parti opozitare po përdor mekanizma parlamentarë për të bërë një opozitë reale, dhe ja ka arritur të tërheqë vëmendjen e publikut.

Në këtë betejë ajo po përballet dhe vetë me faktet që shpesh herë i shpik dhe duke u ballafaquar me to, ka reformuar dhe qëndrimet e veta.

Suksesi i parë i Komisionit është besueshmëria që po ngjall në opinion publik. Epoka e kasetave që dërgohen në redaksi dhe lajmet e gatshme nga zyrat e marrëdhënieve me publikun të partive, kanë shkëputur prej kohësh gazetarinë nga opinioni publik dhe komunikimi direkt politik me opinionin është një nga arsyet pse po ndiqet me interes nga publiku.

Një publik i lodhur nga retorika e opozitës “droga, droga… krimi, krimi…”, për herë të pare po ndjek një opozitë e cila po ballafaqon fakte në sallën e Kuvendit dhe po dokumenton qëndrime zyrtarësh. Dhe kjo e ka kthyer atë në një ngjarje për opinionin publik, pasi qytetarët kanë kuptuar se këtë radhë nuk është duke i gënjyer askush me kaseta të përgatitura, as nga TV ku drejtori paguhej 140 mijë euro në muaj si agjent marketingu i këtyre kompanive, as nga TV që caktojnë administratorë në landfille.

Së dyti, Komisioni ka rikthyer përgjegjshmërinë e Qeverisë ndaj opozitës dhe sulmeve të saj. Zyrtarët e Qeverisë apo bashkiakët që janë ballafaquar në Komision, kanë pas rastin të çmontojnë akuzat ndaj tyre, apo t’u shmangen atyre sipas rastit, duke u ndjerë për herë të parë gjatë këtyre viteve përballë presionit institucional opozitar.

Stili i deritanishëm i Qeverisë, sidomos këto pesë vitet e fundit pa opozitë, ka qenë i thjeshtë. Sa më shumë të akuzoheshe, aq më shumë lartësoheshe, pasi besueshmëria e opozitës ka qenë nën zero. Viktimizimi nga opozita shpesh herë i disa personazheve të pushtetit rezultoi bllof dhe nga ana tjetër shumë personazhe të pushtetit i përdornin sulmet pa përmbajtje të opozitës, si mënyrë për t’u bërë të rëndësishëm. Kam frikë se ishin gati t’i paguanin për t’u sharë prej tyre.

Për herë të parë ata po provojnë të mbrojnë veten dhe pushtetin e tyre nga akuza që një fije peri janë larg të qenurit të lirë dhe të nderuar, apo në burg të turpëruar. Deri më dje për çdo sulm ndaj tyre ka qenë mburojë Edi Rama. Është herë e parë që po i dalin zot vetes.

Veliaj, Gjiknuri, Ahmetaj apo Subashi, që kanë qenë në qendër të akuzave, kanë bërë debate shteruese me Komisionin, duke dëshmuar përgjegjësinë për çfarë kanë bërë, por dhe përgjegjësinë për t’iu përgjigjur opozitës.

Aq shumë interes ka ngjallur në opinon publik debati i tyre, sa dhe Edi Rama ka njoftuar që mezi pret të shkojë, sikur po bën promo që do të shkojë tek emisioni i Fevziut dhe kërkon audiencë. Dhe kjo është shenjë e mirë.

Suksesi i tretë i Komisionit është brenda opozitës. Jorida Tabaku më në fund e ka gjetur veten si nxënëse e mirë që nuk shkon pa përgatitur në klasë, me gjasë cilësia e saj më e mirë në jetën parapolitike. Dhe kjo ka duket se ka xhelozuar shumë vetë brenda PD dhe thuajse ka tërbuar tërësisht “Foltoren” e Sali Berishës dhe LSI.

Është qesharake të shikosh se si Sali Berisha dhe “Foltorja” e tij janë armiqtë më të mëdhenj të këtij Komisioni, duke e akuzuar atë si lojë e Edi Ramës. E thonë këtë për një Komision që në fakt po i bën të djersijnë ministrat e Edi Ramës dhe bashkiakët e tij. Dhe e gjitha është se ata janë ndjerë të përjashtuar nga vëmendja e opinionit publik në opozitën e tyre, edhe ashtu “non grata”.

Vëmendja e opinionit është aty ku ballafaqohen fakte dhe shumicën e fakteve të shpikura për këtë aferë e ka bërë Berisha, i cili shikon se si PD dhe Tabaku po fitojnë pikë si zbardhës të kësaj afere dhe se si asgjë nga ato broçkullat e tij nuk janë të vërteta, por ka të vërteta të tjera të hidhura.

Vëmendja që ka marrë Tabaku dhe Komisioni, kanë trazuar opozitën, pikërisht se kanë harruar të bëjnë opozitë reale. Trazimi i tyre vjen nga fakti se për vite të tëra janë bërë interesantë, ose duke djegur mandate, ose duke braktisur zgjedhje, ose duke sajuar afera të montuara. Madje po të shikosh LSI se si sillet ndaj Komisionit, të duket se ata janë të interesuar vetëm të shkatërrohen disa tradhtarë të LSI dhe janë gati të mbrojnë gjithë ministrat e Edi Ramës pastaj. Por mesa duket, as ata nuk po ja dalin të tërheqin vëmendjen, edhe pse bëjnë sikur janë të informuar.

Madje as Grida Duma nuk po ja del të bëhet interesante duke folur për Big Brother dhe Donaldin, vetëm disa ditë pas mbarimit të spektaklit më të shikuar, ngaqë fuqia reale e opozitës është tek Komisioni, dhe jo tek shou.