Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për kalimin te bashkia Kurbin dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit të njësive të banimit, të shërbimit dhe njësive të ndërtimit nëntokë të ndërtuara për banorët që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit të vitit 2019.

Lagjja e re, e cila u rindërtua nën kujdesin e posaçëm të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ka 522 banesa dhe vlera për ndërtimin e tyre llogaritet afërsisht 42 milionë euro.

“Këshilli i Ministrave vendosi kalimin te bashkia Kurbin të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), si dhe të njësive të ndërtimit nëntokë. Kalimin te Fondi Shqiptar i Zhvillimit të njësive të shërbimit në ndërtesat (pallat)”, thuhet në vendimin e publikuar.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Po ashtu bashkisë së Kurbinit i alokohen rreth 224 milionë lekë nga fondi i Rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të 3 objekteve arsimore.

“77 546 181 (shtatëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e dyzet e gjashtë mijë e njëqind e tetëdhjetë e një) lekë për rikonstruksionin e gjimnazit “At’Shtjefen Kurti”; 53 382 817 (pesëdhjetë e tre milionë e treqind e tetëdhjetë e dy mijë e tetëqind e shtatëmbëdhjetë) lekë për rikonstruksionin e Kopshtit nr.3, Laç; ) 93 014 968 (nëntëdhjetë e tre milionë e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë për rikonstruksionin shkollës 9-vjeçare “Nike Tom Prela””, thuhet në vendimin e miratua ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave.

Bashkisë Kurbin, në buxhetin e vitit 2022, i transferohet fondi në formën e transfertës së pakushtëzuar, në masën 44 788 793 (dyzet e katër milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e tre) lekë pa TVSH, që do të përballohet nga shpenzimet buxhetore të fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2022.

Nga këto, 15 509 236 (pesëmbëdhjetë milionë e pesëqind e nëntë mijë e dyqind e tridhjetë e gjashtë) lekë për rikonstruksionin e gjimnazit “At’Shtjefen “Kurti”; 10 676 563 (dhjetë milionë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e tre) lekë për rikonstruksionin e Kopshtit nr.3 Laç; 18 602 993 (tetëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e dy mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tre) lekë për rikonstruksionin shkollës 9-vjeçare “Nike Tom Prela”.