Bonusi i bebes, nismë e qeverisë, që ndihmon financiarisht familjet e reja për çdo të porsalindur, përfitohet pa burokraci në sportelin e gjendjes civile në çdo maternitet.

Kryeministri Edi Rama deklaron se thuajse 150 mijë fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes në 3 vite.

“MIRËMËNGJES , dhe me kënaqësinë e krenarinë për thuajse 150 mijë fëmijë, të cilët kanë përfituar bonusin e bebes në 3 vite, me programin tonë të ri të mbështetjes për çdo të porsalindur, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama.

Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, pa dallim nëse kanë lindur këtu apo jashtë vendit.

Prindërit e fëmijëve të sapolindur e tërheqin çekun e bebes në maternitetin ku ndodhen duke kryer regjistrimin e menjëhershëm të fëmijës, duke shmangur të gjitha vonesat dhe burokracitë që kanë ndodhur më parë.

Me bonusin e bebes të akorduar nga qeveria shqiptare, prindërit për fëmijën e parë përfitojnë 40.000 lekë, 80.000 lekë për beben e dytë si dhe 120.000 për fëmijën e tretë. Kur bebet janë binjakë ata do të përfitojnë nga 80.000 lekë të dy, ndërsa kur janë trinjakë do të përftojnë nga 120.000 lekë secili.