Fshati Roshnik, 12 kilometra larg Beratit është kthyer në një destinacion për turistët vendas e të huaj, për të shijuar natyrën dhe produktet bio në agroturizmin që ky fshat ofron.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantina “Alpeta”, e cila tërheq turistë vendas e të huaj.

“Mirëmëngjes dhe me një kantinë të rilindur të babait, si rasti i Petrit Fiskës në Roshnik të Beratit, pjesë e programit të mbështetjes për agroturizmin, ju uroj një fundjavë të mbarë”, tha Rama.

“Kjo godinë është vazhdimi i historisë së babait tonë, që vreshtat t’i transmetonte tek fëmijët e tij. Histori që e filloi që nga viti 1992 . Erdhi koha që njerëzit donin të shijonin verën, rakinë dhe të pushonin në fshat. Ne na lindi ideja që ta përshtasim godinën që ndërtoi babai, kantinën që kishte ndërtuar ta vinim në funksion të një lloj shërbimi tjetër në një lloj agroturizmi. Filuam me mbështetjen e AZHBR me 7 dhoma dhe sot kemi 13 dhoma”, theksoi Petrit Fiska.

Fiska tha se “jemi zgjeruar për arsye të afrimitetit që po ndodh në Roshnik. Kemi kaluar mbi 2500-3000 vizitorë të huaj. Restoranti ka vënë në funksion jo vetëm ne, por produktet tona ne i zgjedhim në gjithë zonën e Roshnikut që ka 13 fshatra ku gjejmë mishin, vezën, etj. Edhe njerëzit thonë ne kemi ku i çojmë produktet tona”.

“Është hera e parë në Alpet dhe hera e dytë në Shqipëri. Është e mrekullueshme, na pëlqen ferma. Dëshirojmë që të kemi një fermë të tillë një ditë me produktet tona”, tha një turist.

Ndërsa bashkëshortja u shpreh se “ne e adhurojmë ushqimin këtu dhe këtë e shohim si tur ushqimi”.

Kantina “Alpeta” është vendi më i preferuar për shumë vizitorë Dhe nuk është për t’u habitur, pasi kjo hapësirë ​​magjike natyrore ka pamje të bukur të malit Tomor dhe kodrave të ullirit. Vreshtat janë shumë afër kopshtit. Është një vend i përsosur për të ecur, për të shijuar natyrën, për të biseduar, për të admiruar bimët dhe lulet me bukuri të mrekullueshme dhe për të harruar të gjitha shqetësimet e jetës së përditshme.