Rreth 55 mijë drejtues mjetesh do të marrin një shërbim më cilësor pas rehabilitimit të mjediseve të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Laç.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga gjendja në të cilën ndodhej kjo godinë dhe transformimi që ka pësuar pas investimeve të kryera.
“Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor në Laç, në dy ekrane, fytyra e qeverisjes së atyre që sot shajnë e akuzojnë se Shqipëria s’ka qenë kurrë më keq dhe fytyra e qeverisjes sonë, çdo ditë me një punë të re në rrugën e ndryshimit që vazhdon”, tha Rama.
DRSHTRR Laç ofroi 111,000 shërbime në vitin 2021 duke mbuluar edhe Lezhën, Rrëshenin dhe Mirditën.
Në të gjithë vendin janë në proces riparimi drejtoritë rajonale të Dibrës, Beratit, Korçës dhe Laçit. Ndërkohë ka përfunduar riparimi i drejtorive rajonale në Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Shkodër, Fier, Gjirokastër, Sarandë si dhe dega Lushnjë.