Kryeministri Edi Rama, sikurse edhe shumë herë të tjera, i është përgjigjur sot kritikave të komentuesve në Facebook. Njëra prej komentuesve e akuzon Rama se qeveria e tij bën vetëm fasadë dhe as një punë siç duhet, e madje i kërkon kryeministrit që të mos i përgjigjet me ironi.
“Për fasade të parët jeni se në realitet pak gjera ose aspak bëni mirë. Marr shkas nga gjithçka që po ndodh në Shqipëri. Më vjen keq por duhet tua them këtë që mendoj. Nëse e merr mundimin të më kundërshtosh të lutem lëre ironinë se e di që ju vjen shumë për shtat”, shkruan komentuesja.
Rama i numëron punët e bëra gjatë këtyre viteve të qeverisjes, duke përmendur rindërtimin e duke vazhduar me bujqësinë, teksa shkruan se eksportet bujqësore janë rritur dhe se po ashtu është dyfishuar edhe toka e punuar në fshat.
Rama përmend edhe zerimin e taksës dhe TVSH-s për biznesin e vogël, teksa shton se megjithatë ka ende punë për t’u bërë dhe se e mira nuk ka fund.
“Unë nuk bej ironi me askënd, po përdor ndonjëherë sarkazmën me ata që shajnë dhe akuzojnë pa lidhje, ndërkohë qe ju keni shprehur një opinion me të cilën nuk jam dakord, sepse për shembull mijëra shtëpitë ku po kthehen ata që u prekën nga tërmeti nuk janë fasade apo jo? 100 e ca shkollat e reja që janë ndërtuar e po ndërtohen për fëmijët që humbën shkollën nuk janë fasadë apo jo? Eksportet bujqësore 450 milionë krahasuar me 120 milionë para tetë vitesh apo dyfishimi i tokës së punuar në fshat nuk janë fasade apo jo? Zerimi i taksës dhe i TVSH për biznesin e vogël nuk është fasadë apo jo? Transformimet infrastrukturore nuk janë fasade apo jo? Spitalet e maternitetet e reja nuk janë fasadë apo jo? E të tjera me radhë që s’po i numëroj se shkojmë deri nesër! Po patjetër, ka ende shume për të bërë dhe e mira s’ka fund, ndërkohë që e keqja harrohet shpejt, prandaj edhe është i mirëkuptuar kushdo që thotë se ishim më mire kur ishim me keq”, përgjigjet Rama.
Fermerët e Përmetit u ngritën sot në protestë, pas atyre të Lushnjës, Fierit e Beratit, teksa ngritën zërin para bashkisë për mungesën e subvencioneve dhe rritjen e çmimit të naftës e imputeve bujqësore. Fermerët kërkuan nga Ministria e Bujqësisë subvencionim të drejtë, duke pretenduar se skema aktuale po i nxjerrë ata në rrugë.