Kryeministri Edi Rama tha se nëse qeveria e tij do të ishte “një grup i strukturuar” siç pretendon opozita atëherë nuk do të kishte asnjë mundësi që Ministria e Financave të niste inspektimin për inceneratorët. Rama tha se në qeverinë e tij, të gjithë punojnë në mënyrë të pavarur dhe kjo tregon procesin model që është kryer lidhur me inceneratorët.
“Qeveria ime nuk është grup i strukturuar i një njeriu, në qeverinë time respektohet çdo njeri në punë dhe dinjitetin e tyre. E imagjinoni dot që në grup të strukturuar dhe të dilte me inspektime Ministria e Financave se çfarë do të bëhej. Nuk pyetem unë fare nëse duhet inspektuar apo jo, pasi kështu e kuptoj unë punën e qeverisë time. Inspektime janë bërë dhe është bërë brenda të gjithë pavarësisë të atij institucioni dhe ky është një shembull tipik si funksionon qeveria ime”, tha Rama.
Ditën e djeshme gjatë dëshmisë së Engjëll Agaçit, kryetarja e komisionit parlamentar për inceneratorët Jorida Tabaku në tentativë për t’i bërë një akuzë mazhorancës, nxori në mënyrë të papritur një urdhër të Ministrisë së Financave për të hetuar kontratën koncesionare për dyshime korrupsioni. Por dokumenti u shfrytëzua nga anëtarët socialistë për të treguar transparencën dhe korrektësinë e institucioneve, të cilat sipas tyre kanë bërë me përpikmëri detyrën.