Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar opozitës në Komisionin Hetimor për Inceneratorët që të heqin dorë nga akuzat se janë vjedhur 430 mln euro, duke theksuar edhe një herë se ajo është një shumë që përfshin shërbimin e manaxhimit të mbetjeve deri në vitin 2047. Sipas Ramës, një gjë e tillë u pranua edhe nga vetë kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, pas shumë diskutimeve.
“Ju keni folur për një aferë shekulli. Një aferë shekulli duhej të kalonte minimalisht atë që ishte deri dje afera e shekullit, Rruga e Kombit dhe keni ngritur shifrën 430 mln euro. Doli dhe një 45 mln tjetër për t’i dhënë edhe më shumë erë shekullore aferës. Ju i keni thënë shqiptarëve janë vjedhur 430 mln euro. Tani sot me gojën e vet Tabaku pohoi se nuk na qenka tamam kështu. Z.Këlliçi nuk më rezulton mua që ka përqafuar aritmetikën e delegatëve për karrige. Ky është moment i mirë për të riparë aritmetikën e aferës. Është e rëndësishme që ndarja që ishte një ndarje shumë qartësisht e definuar nga dy këndvështrime të aritmetikës, njëri ekstravagant tjetri normal, duhet të mishërohet dhe këtu. Po flasim për një angazhim deri në vitin 2047 ku situata në këtë parlament do jetë tjetër dhe deri në 2047 uroj që z.Këlliçi do jetë këtu dhe të bëjë dhe një komision tjetër. Ne diskutojmë 430 mln euro për para që janë deri në 2047. Ky është problemi që kam unë me aferën, kështu që ta heqim këtë 430, është në nderin e Foltores që ta heqë”, tha Rama.