Nga Ylli Pata
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vërtetë që për herë të parë ka në dorë një vendim që nuk ka ndodhur më parë.
Bëhet fjalë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, vendim që e ka marrë Parlamenti vitin e shkuar. Megjithatë, në historinë e saj, Gjykata Kushtetuese ka pasur raste kur ka gjykuar vendime të Parlamentit për krerë shumë të lartë të Republikës.
Dy herë në historinë e saj, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar dy vendime të Kuvendit për shkarkimin e Kryeprokurorit të Republikës.
Prokurori i Përgjithshëm, sipas kompetencave që ka patur në Kushtetutë, realisht ka qenë më i rëndësishëm sesa Kreu i Shtetit. Kjo pasi Kryeprokurori ka pasur fuqinë e madhe ligjore të ndjekjes penale, e si rrjedhim heqjen e përkohshme të lirisë, ç’ka është një kompetencë shumë e fortë faktikisht.
Në të dyja vendimet Gjykata Kushtetuese, pra si për shkarkimin e Kryeprokurorit Arben Rakipi, apo atë të shkarkimit të Kryeprokurorit Theodhori Sollaku, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimet e Kuvendit, duke i cilësuar sin ë kundërshtim me ligjin themeltar të shtetit.
Tjetër punë është se Kuvendi nuk i ka zbatuar vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese, që nuk është hera e parë.
Megjithatë, me largimin e anëtarëve të Kushtetueses nga procesi i vettingut, e më pas me ringritjen e vështirë të këtij institucioni me shumë problem e polemika, vendimi për shkarkimin e Presidentit është një sfidë më vete. Megjithatë, është një sfidë që këtij institucion i bën mirë, që ta nisë veprimtarinë me çështje që konsiderohen “të rënda”.
Në të gjithë kohën që Gjykata Kushtetuese ishte bosh, kemi përjetua një uragan opinionesh nga përkrahësit e Ilir Metës dhe të Sali Berishës, ku mungesa e këtij institucioni konsiderohej si një “rreng i Edi Ramës dhe ndërkombëtarëve”.
Të gjithë e mbajnë mend betejën e Metës kundër Dvoranit për procedurë, a thua se po luftohej mbi kuçedrën. Të gjithë e mbajnë mend betejën e Ilir Metës për ta promovuar edhe pse me mandate të mbaruar të zonjës Vitore Tusha, anëtare e Kushtetueses. Më pas përplasja e fortë me mazhorancën për emërimin e Marsida Xhaferllarit, Sonila Bejtjes, apo Besnik Muçit që u rrëzua nga vettingu.
E në këtë atmosferë të nderë, me polemika dhe me një klimë tensioni, Gjykata Kushtetuese u stabilizua disi.
E erdhi në kohën kur u përball me dy sfida të rëndësishme: vendimin për 30 qershorin dhe atë për shkarkimin e Ilir Metës.
E çfarë bëri Presidenti i Republikës? Sulmoi e shantazhoi institucionin që intepreton ligjin themeltar, e u mor me gjyqtarë të veçantë. Siç ndodhi para pak ditësh kur kërkoi se si është zgjedhur relatorja e çështjes. Një aksion i qartë që synonte të mënjanonte një gjyqtare, për të arritur më pas në një situatë kur Kushtetuesja të mos ketë mazhorancë vendimarrëse.
Ky akt i Metës, i nisur që prej dy javësh është realisht një shkelje edhe më e madhe se ai ka bërë në të shkuarën. E këtu Kuvendi duhet të ndërhynte menjëherë ndoshta me seancë Speciale.
Fehmi Abdiu, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, në një intervistë për Tema, ditë më parë reagoi ashpër, duke e konsideruar këtë akt si “aggression antikushtetues”.
Nuk ka asnjë mundësi që një institucion t’i bëjë aggression apo të kontrollojë Gjykatën Kushtetuese, ky institucion sipas ligjit themeltar të shtetit përgjigjet vetëm para Kushtetutës dhe Zotit; asnjë organ tjetër as nuk e inspekton, e as e kontrollon.
Megjithatë, vendimi i sotëm i ndërmjetëm i Gjykatës Kushtetuese që rrëzon kërkesat absurde të Ilir Metës është shumë i rëndësishëm, pasi njëherë e mirë i prêt rrugën një fenomeni të ngjashëm në të ardhmen.
A e shkarkon apo jo Ilir Metën si President, kjo është punë tjetër, por ndërhyrja e qartë për të rrëzuar kërkesat e juristëve të presidencës është shumë e rëndësishme.
Nuk mund të jetë Gjykata Kushtetuese në Konflikt Interesi; asnjëherë pasi ajo do të gjykojë gjithmonë përplasje të mëdha institucionale, por është Ilir Meta që ndërhyn për çështjen kur është palë.
Gjykata Kushtetuese nuk është gjykatë penale apo civile, ku mund të kërkosh largimin e një gjyqtari, pasi kemi të bëjmë me një vepër që i përshtatet Kodit penal, Kodit Civil apo Kodit të Procedurës Penale, që kanë të shkruar qartë mbrojtjen e të drejtave të personave të gjykuar.
Kushtetuesja zbaton thjesht ligjin themeltar të shtetit, e për këtë është sovrane, ndaj zgjedhja bëhet me dualitet ndërmjet Presidentit e Parlamentit. Pas zgjedhjes, të gjithë duhet të heshtin. /TemA