Kulla simbolike e Krujës, monument me vlera të veçanta historike dhe kulturore po rikonstruktohet për t’u rikthyer në identitet, falë projektit të zhvilluar në bashkëpunim me qeverinë suedeze.

“Kulla tashmë ndodhet në situatën e plotë të përforcimit të emergjencës, është e gjitha e stabilizuar. Hapi i parë që ndërmori qeveria shqiptare ishte hartimi i projektit për fazën e emergjencës. Ka qenë një projekt që u krye pa mundur të aksesohej direkt kulla sepse ishte në mënyrë konstante në rrezikshmëri për lëvizjen e gjithë pjesës së gurëve”, shpjegoi Ministrja e Kulturës Elva Margariti, gjatë inspektimit që kryeministri Rama zhvilloi sot në këtë objekt.

Qëllimi i projektit është të sigurojë Kullën e Sahatit dhe të parandalojë degradimin e mëtejshëm, si dhe reagimin gjatë aktivitetit sizmik në të ardhmen. Punimet përforëcuese do të përmirësojnë kapacitetin e strukturës për një periudhë të konsiderueshme kohe duke krijuar mundësi për dokumentimin e mëtejshëm të kullës, si dhe realizimin e projektit përfundimtar të restaurimit.