A ka ndonjë shans për ta parë Lionel Messin apo Cristiano Ronaldon në MLS? David Beckham, pronar i Inter Miami, tha për “Miami Herald”: “Gjithmonë kam thënë se klubi ynë synon të ketë lojtarët më të mirë, kemi pritshmëri të mëdha. Ndonjëherë gjërat shkojnë keq.

Kur fillova këtë projekt, njerëzit ishin të sigurt se ne do të blinim Ronaldon dhe Messin. Në fund të fundit, në futboll ka rëndësi fitorja, me të rinjtë apo me yjet. Tifozët tanë janë të lumtur nëse kemi kampionë në ekip, por gëzojnë shumë edhe nëse të rinjtë tanë fitojnë ndonjë trofe”.

David Beckham, gjatë konferencës për shtyp, në “inaugurimin” e sezonit të ri në MLS, foli edhe për rëndësinë e Higuain tek Inter Miami: “Gonzalo është një lojtar i madh, një profesionist i shkëlqyer. Mendoj se bëri mirë sezonin e kaluar.

Ai duhet të jetojë sipas pritshmërive, është figura lider në këtë skuadër, ka fuqinë të ndikojë pozitivisht në paraqitjen e shokëve të tij, ka shënuar gjithmonë gola, kudo që ka luajtur. Pra, është një pjesë e rëndësishme e kësaj skuadre, ai përcakton ndeshjet tona.

Nëse Gonzalo luan mirë dhe punon shumë, atëherë të gjithë punojnë shumë dhe luajnë mirë. Marrëdhënia ime me të ka qenë gjithmonë e mirë dhe do të jetë më e mirë nëse shënon shumë gola”.