Miliona familje në Mbretërinë e Bashkuar do të përballen me një rritje rekord prej 54 % të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike. Nisur nga muaji Prill, qytetatrët britanikë do të paguajnë 693 paund shtesë në vit për faturat e energjisë.

Ofgem, i cili është rregullatori i sektorit të energjisë në Britaninë e Madhe njoftoi këtë rritje rekord. Vendimi do të prekë 22 milionë familje në të gjithë vendin.

Rritja e kostove të gazit dhe energjisë elektrike janë faktorët kryesorë që çojnë në rritjen e çmimeve të tjera në të gjithë ekonominë.

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Andreë Bailey deklaroi se shumë qytetarë në Mbretërinë e Bashkuar do të përballen me një periudhë të vështirë. Z. Bailey u shpreh se rritja e kostove të energjisë është jashtë kompetencave të Bankës së Anglisë, por ajo ka vepruar për të parandaluar në përkeqësimin e situatës.

Banka e Anglisë rriti sërish normat e interesit nga 0.25 për qind në 0.5 për qind për të luftuar këtë fenomen.