Kryebashkiakja e Durrësit dhe njëkohësisht kandidatja e PS, Emiriana Sako ka deklaruar nga Spitalla se brenda vitit kjo lagje do të ketë pësuar ndryshim rrënjësor. Sako iu është referuar disa investimeve të rëndësishme që po kryhen në këtë zonë dhe në takimin me banorët e Spitallës tha se janë tre projekte madhore që ndikojnë drejtpërdrejt: Eko Parku, Porti Tregtar që po ndërtohet në Porto Romano dhe lagjja e re e Spitallës me 996 aparatamente gjithsej.
Sako shoqërohej në këtë takim nga drejtuesi politik i qarkut Adrian Çela dhe deputetja e PS Klodiana Spahiu. Duke folur për programin e rindërtimit, kryebashkiakja Sako u ndal tek lagjja e re e Spitallës, në të cilën kanë nisur të ndërtohen 15 pallatet e para: “Aty do të jetë lagje e re me 996 aparatamente në të cilat do të strehohen familjet që humbën shtëpitë e tyre nga tërmeti por edhe famijet e pastreha që kanë aplikuar tek programet e strehimit. Kjo lagje do të jetë me një infrastrukturë tërësisht moderne, do ndërtohen rrugët lidhëse me pjesën tjetër të qytetit, do të ketë njësi shërbimi, qendër shëndetësore, park dhe fushë sporti. Jo shumë larg kësaj lagjeje kemi Eko Parkun, i cili është në fund të punimeve. Është një investim në një sipërfaqe prej 16 hektarësh ku janë mbjellë 1200 pemë, janë ndërtuar fusha sportive, është një park që do të kthehet shumë shpejt në një pikë referimi për banorët e Durrësit dhe më gjerë”.
Kryebashkiakja Sako shtoi se me fonde nga buxheti i bashkisë Durrës janë realizuar shtrimi i rrugëve “Syri i detit”, “Ohri”, “Kashta e Kumtrit” dhe rruga e varrezave. Me të njëjtat burime parashikohet që këtë vit të ndërhyhet në infrastrukturën e rrugëve që lidhin lagjen e re të Spitallës me qytetin.