Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Abdulla Shahid deklaroi sot se, Shqipëria, do të sjellë një këndvështrim unik në çështjet që shqyrton Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

Në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Abdulla Shahid përgëzoi Shqipërinë për zgjedhjen e saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.

“Nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria do ta ndërtojë më tej punën mbi angazhimin e saj afatgjatë për paqen dhe sigurinë dhe mbi historikun e angazhimit të saj të fuqishëm me organizma të shumta të Kombeve të Bashkuara, për të forcuar punën e Këshillit”, u shpreh ai.

“Kjo punë është kritike tashmë kur bota përballet me një sërë krizash komplekse e të ndërlidhura, që kërkojnë vëmendjen tonë urgjente”, tha ai

“Si organi kryesor i Kombeve të Bashkuara, detyrat për ruajtjen e paqes globale janë çështje që përfshihen në mandatin e Këshillit të Sigurimit”, theksoi Shahid.

Ai nënvizoi se, “është thelbësore që Këshilli të jetë në lartësinë e duhur, për të dëshmuar rëndësinë e qëndrueshme të veprimit shumëpalësh dhe të Kombeve të Bashkuara në ruajtjen e paqes globale”.

“Si dikush që vij nga një vend i vogël ishullor, jam besimplotë se Shqipëria, një vend po ashtu i vogël, do të sjellë një këndvështrim unik në çështjet që Këshilli shqyrton”, tha Shahid.

“Përvoja e Shqipërisë në zgjidhjen e konflikteve dhe nxitjen e pajtimit do të bëjë të mundur që ajo të luajë rolin e një urë-ndërtuesi në Këshill”, nënvizoi Shahid.

“Unë e përgëzoj Shqipërinë për përparësitë që ka zgjedhur përgjatë periudhës së saj të anëtarësimit. Ato përfshijnë forcimin e të drejtave të njeriut dhe së drejtës ndërkombëtare, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, nxjerrja në pah e lidhjeve midis klimës dhe sigurisë, gjetjen e zgjidhjeve gjithëpërfshirëse përmes partneriteteve dhe forcimin e punës për çështjet e veprimtarisë së Këshillit”, tha Shahid.

“E përgëzoj Shqipërinë veçanërisht për nismën e saj për nxitjen e një roli më aktiv të grave dhe vajzave në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve. Ky theks te barazia gjinore është një rezonancë me Presidencën time të Shpresës, që mbetet e përkushtuar për të lehtësuar ofrimin e më shumë platformave për gratë dhe vajzat, që të marrin pjesë në veprimin global shumëpalësh. Ju siguroj që gjatë presidencës time do të punoj me Këshillin, për të çuar përpara përparësitë e përbashkëta”, theksoi Shahid.

“Pres me padurim vazhdimin e mbledhjeve të përmuajshme koordinuese që zhvillojmë me presidentin e Këshillit të Sigurimit, për të folur rreth zhvillimeve në Këshill dhe Asamble dhe pres me padurim të punoj ngushtë me Shqipërinë në qershor të këtij viti, kur të marrë presidencën”, u shpreh Shahid.