Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë përafërsisht 10 milionë dollarë ndihma për Kosovën për të përballuar pandeminë e COVID.
Një ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Kosovës edhe 515.970 doza të vaksinës Pfizer.
Duke përfshirë dy dërgesat e mëparshme në gusht dhe shtator të vitit 2021, SHBA ka dhuruar mbi 1.054.170 doza për të mbrojtur kosovarët, që paraqet donacionin më të madh të vaksinave kundër Covid-19 nga ndonjë shtet apo organizatë dhuruar Kosovës.
“Vaksinat mbesin mënyra më e mirë në botë e mbrojtjes kundër Covid-19 dhe pasojave shkatërruese të tij. Shkalla e lartë e vaksinimit do të thotë shkallë e ultë e hospitalizimit dhe më pak raste të vdekjes. Ju lutem, bëjeni pjesën tuaj: vaksinohuni, lani duart dhe bartni maskën. Të gjithë duhet të punojmë së bashku për ta luftuar dhe mposhtur këtë pandemi globale”, tha ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Meqenëse asnjë vend nuk mund ta mposhtë Covid-19 i vetëm, presidenti Biden është zotuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndajnë më shumë se 1.2 miliardë doza të vaksinës nëpër botë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë arsenali i vaksinave të botës në luftën tonë të përbashkët kundër këtij virusi”, tha presidenti Biden në një deklaratë më 3 qershor 2021.
“Do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka për të ndërtuar një botë më të sigurt kundër kërcënimeve të sëmundjeve ngjitëse”, theksoi ai.
Përveç vaksinave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin donatori më i madh bilateral për sistemin shëndetësor të Kosovës për forcimin e reagimit ndaj Covid-it.
Prej fillimit të pandemisë, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë rreth 10 milionë dollarë në emër të mbështetjes shtesë të ndërlidhur me pandeminë për ngadalësimin e përhapjes, kujdesin për të prekurit dhe pajisjen e shkollave kosovare, shtëpive të shëndetit, familjeve dhe komuniteteve në 38 komunat e Kosovës me mjetet e nevojshme për ta luftuar Covid-19.