Pas 21 çmimeve nga mbarë bota, filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, (në anglisht “Hive”), i cili ka thyer rekorde me çmime në shumë festivale dhe ishte në garë për t’u nominuar në “Oscars 2022”, u transmetua mbrëmë në Tulla Center në Tiranë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili mori pjesë në shfaqjen e filmit në një datë të shënuar për Kosovën, e cila dje festoi 14-vjetorin e Pavarësisë, u shpreh i lumtur dhe krenar që arti shqiptar po arrin majat më të larta të kinematografisë botërore.

“Ne jemi një komb që na bashkon gjuha, jo fakti se një pjesë është në Kosovë, në Mal të zi, Maqedoni, apo në Serbinë e jugut, ndaj jemi të destinuar që për të pasur sukses duhet të ‘grushtojmë’ përtej peshës sonë. E nëse këtë nuk arrijmë dot ta bëjmë kudo, fushat ku ne mund të ‘grushtojmë’ përtej peshës janë arti, kultura, filmi, libri, teatri, sporti. Nëse ka diçka që e kemi bërë mirë bashkë si komb, është që kemi kuptuar rëndësinë se çfarë do të thotë, pavarësisht se të vegjël, të ‘grushtojmë’ aty ku mundemi. Ndaj, e shoh të gjithë këtë javë si një mundësi për të treguar pikërisht këtë që ne dimë se përtej peshës sonë, në disa fusha ku nuk ka rëndësi numri i popullsisë, kilometrat katrore apo GDP-ja, të mbiperformojmë edhe përtej prishtmërive” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha gjithashtu se, “Tirana festoi bashkë me Kosovën 14-vjetorin e Pavarësisë si shtet, duke filluar nga Bashkia që u mbulua e gjitha me flamurin e Kosovës dhe të gjithë aktivitetet e zhvilluara për të treguar se ky qytet është shumë krenar për simotrën dhe sivëllaun e vet në anën tjetër të kufirit”.

Filmi, një bashkëproduksion zyrtar Kosovë-Zvicër, ku edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë, bazohet në një ngjarje të vërtetë në kohën e pasluftës së Kosovës. “Hive” rrëfehet mbijetesa e Fahrijes, e cila pas humbjes së bashkëshortit të saj gjatë luftës në Kosovë fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, drama e një gruaje kosovare gjatë luftës dhe ngadhënjimi i saj mbi vështirësitë e ringritjes së pasluftës, ku për gratë rëndonte dhe mentaliteti i papërgatitur i shoqërisë që sheh me sy të keq ambicien për ringritje.