Shkencëtarët gjermanë planifikojnë të mbarështojnë derrat e modifikuar gjenetikisht këtë vit për të shërbyer si donatorë të zemrës për njerëzit. Ky planifikim vjen një muaj pasi ekspertët amerikanë transplantuan zemrën e parë të modifikuar të derrit te një pacient.

Eckhard Wolf, një shkencëtar në Universitetin Ludwig-Maximilian (LMU) në Mynih, tha se qëllimi i ekipit të tij është që speciet e reja, të modifikuara nga raca Auckland, të jenë gati për transplantime eksperimentale deri në vitin 2025.

Në operacionin e parë të këtij lloji, një ekip nga Shkolla Mjekësore e Universitetit të Maryland muajin e kaluar transplantoi zemrën e një derri me dhjetë modifikime te një njeri i sëmurë. Mjekët thonë se ai po reagon mirë edhe pse ekziston rreziku i infeksionit, refuzimit të organeve ose presionit të lartë të gjakut.

“Plani ynë është të vazhdojmë me një model më të thjeshtë, domethënë pesë modifikime gjenetike”, tha Wolf, puna e të cilit ka ndezur një debat të nxehtë në një vend me një nga normat më të ulëta të dhurimit të organeve në Europë dhe një lëvizje të fortë për të drejtat e kafshëve, shkruan agjencia kroate e lajmeve, Index.