Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat transformohet në Agjenci për Mbikëqyrjen Policore. Pas miratimit në Kuvend të ligjit, publikimit në fletoren zyrtare këtë të enjte hyjnë në fuqi ndryshimet e reja.
Në ndryshim nga ligji i mëparshëm, titullari i Agjencisë emërohet dhe lirohet nga Kryeministri, duke e unifikuar atë me titullarët e institucioneve të pavarura në varësi të ministrive. I gjithë personeli i Agjencisë zhvishet nga gradat, duke u kthyer në një strukturë civile me qëllim shmangien e konfliktin e interesit me subjektet që mbikëqyr.
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, zgjerohet objekti i veprimtarisë, duke përfshirë vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve, veprimtarinë për pajisjen me certifikatë të sigurimit të personelit të punonjësve të strukturave shtetërore si dhe operatorëve ekonomikë privatë, procesin e hetimit disiplinor të subjekteve dhe kryerjen e ekzaminimit poligrafik. Ky i fundit u testua për herë të parë në garën e drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërsa tashmë do ta vijojë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Agjencia, me hyrjen e ligjit në fuqi do të ketë të drejtë të kryejë edhe përgjime ambientale për rastet e hetimeve që i konsideron të nevojshme.
Aktualisht, vijon puna për draftimin e miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore, të cilat bëjnë të mundur implementimin e ligjit, nisur nga rregullorja dhe struktura organike e deri tek një sërë udhëzimesh që normojnë veprimtarinë e Agjencisë në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore, proces i cili duhet të përmbyllet brenda një afati kohor prej 6 muajsh.