Nga Sandër Lleshi
Clausewitz na mëson se në luftë ka përherë një „pikë kulminacioni“. Fuqia e palës që sulmon është në maksimumin e saj në çastin e fillimit të luftës. Por sapo lufta fillon, fuqia e saj fillon të konsumohet. Trupat largohen nga bazat e mbështetjes, ato përballen me terren armiqësor të panjohur, përballen me zjarrin e palës mbrojtëse, lodhen, zhgënjehen, demotivohen… Fuqia e sulmuesit ndjek një kurbë në rënie.
Krejt ndryshe ndodh me palën mbrojtëse, Në fillim fuqia e saj është në minimum. Por me kalimin e kohës, trupat mbrojtëse ftillohen, efekti i befasisë humbet, idetë dhe forcat e armikut fillojnë të bëhen më të qarta, misteret e propagandës armike fillojnë të zbardhen, forcat tërhiqen, por edhe afrohen kështu tek bazat e mbështetjes së tyre… Me pak fjalë: kurba e fuqisë së palës mbrojtëse vjen duke u rritur.
Kurbat e fuqisë së palëve ndjekin tendenca të kundërta, deri sa ato takohen në „pikën e kulminacionit“. Pas kësaj fuqia e palës mbrojtëse e tejkalon atë të palës sulmuese, e cila shkon me shpjetësi drejt humbjes.
Kjo ligjësi e luftës e formuluar nga Clausewitz, duket se po gjen konfirmim edhe në Ukrainë.
Fuqia e trupave ruse po bie me atë ritëm që po rritet fuqia e trupave ukrainase. Rezistenca e ushtrisë, moblizimi i përgjithshëm popullor, mbështetja në rritje e botës dhe mbi të gjitha qëndrimi i Presidentit Zelenskyy në krye të vendit të tij janë shenja për shpresë në Ukrainë.
Unë besoj se, nëse burrat e Ukrainës do t’i mbajnë armët në dorë, nëse bota e lirë do të vijojë të mbështesë pa rezerva rezistencën e Ukrainës dhe nëse Presidenti Zelenskyy do të vijojë t’i qëndrojë destinimit të tij për të qenë ose heroi ose martiri i Ukrainës dhe i Botës së Lirë, „pika e kulminacionit“ do të arrihet shpejt dhe pas saj dështimi i Putinit do të jetë i garantuar.
Sot të gjithë njerzit që duan lirinë e tyre duhet të luten për fitoren e Ukrainës.