Data 10 shkurt ishte afati i fundit për të përcaktuar se kush do të ishin kandidatët për president, kandidatët për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv si dhe delegatët me të drejtë vote.
Mirëpo, mjafton të bësh një kërkim të thjeshtë për të kuptuar se ka disa gjëra që nuk shkojnë. Së pari, nuk është publikuar askund lista e delegatëve me të drejtë vote që do të votojnë në asamblenë zgjedhore të 2 marsit në FSHF.
Së dyti, nuk dihet se çfarë ka ndodhur me Shoqatën e Trajnerëve, sepse nuk ka pasur asnjë njoftim për asamble të kësaj shoqate dhe asnjë njoftim se kush do të shkojë me të drejtë vote në asamble.
“Panorama Sport” tentoi dje të kontaktonte drejtues të vjetër të kësaj shoqate, por ishte e pamundur që të lidhej. Së treti, ka edhe një ngërç të madh me Shoqatën e Arbitrave.
Po, sepse kryetarit të saj, Tahir Kastratit, i ka përfunduar mandati prej më shumë se dy vitesh dhe nuk ka pasur zgjedhje për rikonfirmimin e tij apo për zgjedhjen e një kryetari tjetër.
Çfarë nuk shkon në këtë rast?
– Së pari, është anomali për një shoqatë të rëndësishme që përfaqëson arbitrat dhe rrjedhimisht drejtësinë në fushën e lojës. Kur aty nuk respektohen rregullat, si do të jepet shembulli që arbitrat vetë të jenë korrektë në punën që bëjnë?
– Së dyti, në të kaluarën ka qenë e përcaktuar në statut që kryetari i Shoqatës së Arbitrave është automatikisht edhe anëtar i komitetit.
“Panorama Sport” pa me detaje statutin e ri, të ndryshuar në vitin 2020, ku është hequr pika që përcaktonte se “kryetari i Shoqatës së Arbitrave është automatikisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF”.
Kjo do të thotë se në të ardhmen, edhe mund të jetë, por edhe mund të mos jetë…
– Së treti, nuk është rastësore kjo situatë. Po, sepse Tahir Kastrati në këto zgjedhje ka të drejtë vote, edhe pse i ka mbaruar mandati. Ai konsiderohet votë e sigurt për Dukën dhe duke shmangur zgjedhjet në shoqatë, garantohet minimalisht një votë për Dukën.
Pas zgjedhjeve është teoria “shohim e bëjmë…”, por e sigurt është që Kastrati nuk mund të jetë më në komitet për shkak të moshës (nuk lejohet mbi 70 vjeç).
Pra, sikur të mos mjaftonin skandalet e shumta në shoqatat rajonale apo zgjedhja e rrogëtarit të FSHF-së në krye të Shoqatës së Mjekëve, na del edhe një problem serioz me Shoqatën e Arbitrave.