Sokol Kush i jep të drejtë kryebashkiakut Veliaj në përplasjen me kreun e FSHF-së, pasi bashkia është pronare e klubit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat e shikon një garë të pabarabartë dhe me rivalë e kandidatë të vendosur nga vetë Duka.
Asnjë nga klubet, sipas Kushtës, nuk e kundërshton Dukën, pasi ai i sponsorizon ato. Garën e shikon të padrejtë, pasi presidenti bashkë me asamblenë shpikin formula për të zënë në kurth çdo garues. Ai shpreh keqardhjen që Vlorën e kanë fshirë nga harta e zgjedhjeve, ndërsa më e drejtë do të ishte të votonin të gjitha klubet.
Kushta, po afrojnë zgjedhjet në FSHF dhe presidenti Duka kërkon një mandat të gjashtë. E prisni një rikandidim të tij?
Patjetër që presidenti ka të drejtën e zotit të garojë. Por mënyra se si do të organizojë këto zgjedhje është e gabuar, pasi ai ka 4 vjet që përgatiet për një ditë, kurse të tjerët kanë një ditë të mendojnë për 4 vjet.
Pse mendoni kështu?
Duhet që para 3 muajsh presidenti bashkë me asamblenë të kishin stopuar dhe t’i kishin afishuar emrat. Tjetra, nëpër salla janë parë të gjithë këta persona kur votohet, si mund të jetë i barabartë votimi? Tjetër, presidenti bashkë me asamblenë një herë në kaq kohë shpikin formula për të zënë në kurth çdo garues. Mendoj se kjo është arsyeja që në tri edicionet e fundit s’ka kundërshtarë, ose janë vënë nga presidenti vetë.
Flamurtari nuk ka të drejtë vote në këto zgjedhje. Ju vjen keq?
Është shumë e habitshme se si mund që të mbulojnë Gjirokastrën, Përmetin, Tepelenën, Memaliajn, Sarandën, etj, Vlorën nuk dine ku ekziston, ose shoqatat e tjera. Kur me logjikë duhet të ishin për të votuar ekipet e Kategorisë Superiore, Kategorisë së Parë, të Dytë dhe të Tretë, pasi janë këto ekipe që luajnë dhe 4 ose 5 shoqata që të ishin amatorët dhe moshat. Por presidenti i madh ka një të drejtë, sepse të gjithë këta votojnë me sy mbyllur dhe kur e kuptojnë çfarë gabimi kanë bërë fillojnë bërtasin. Kjo është qesharake.
Si ju duket Dritan Shakohoxha si kandidat kundër Dukës?
Kë ka kundërshtarë, ose kë vë ai për t’ju kundërvënë? Dy persona që kanë qenë 20 vjet bashkë, çdo gjë e kanë bërë bashkë, sot janë kundërshtarë. Pak e dyshimtë kjo! Si mund të ketë zgjedhje të drejta, kur po të shikosh kur udhëton kombëtarja gjysma janë gazetare, çereku janë presidentët dhe këto sponsorizohen nga Duka. Në një cep janë edhe lojtarët. Këto shpenzime marramendëse kush i paguan? Si mund të kemi gazetarë që të kritikojnë Dukën? Kush ka kurajë të kritikojë kur Duka sponsorizon ose ndihmon disa klube. Të mos votojnë…?! Ja, këto gjëra e bëjnë garën të padrejtë.
Pak ditë më parë në “Panorama Sport”, Rudi Vata ka dhënë një intervistë ku theksonte arsyet se pse duhet te largohet Duka. Ndër të tjera ai ka përmendur një histori me ju dhe disa figura të tjera të futbollit shqiptar, ku ka theksuar se i vetmi që nuk u ble nga Duka është Sokol Kushta dhe ka respekt maksimal për ju. A mund të na rikujtoni si histori dhe çfarë ndodhi atë vit që ju mblodhi Vata?
Shiko, Rudi Vata dhe shumë miq me të cilët jam rritur me ta, nuk ju duket çudi ajo që tha Rudi, pasi nuk më njohin sot për të kuptuar se çfarë karakteri kam. Thjesht përforcojnë ato që kanë përjetuar një jetë të gjithë me mua. Por të garantoj po të pyesësh edhe shumë të tjerë, besoj të njëjtën gjë do të thonë. Unë nuk marr mendimet e asnjërit për çfarë do të them ose çfarë mendoj. Ai është mendimi i Rudit. Unë do të kisha dëshirë edhe Dervishin, një zyrtar model për futbollin që ka qenë sekretar, ka qenë në federatat spanjolle dhe e njeh mirë këtë fushë.
Keni një koment për përplasjen e fundit dhe akuzat e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt dhe Dukës?
Tani kjo pyetja për kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Unë do t’ju pyesja ju, a ka një njeri që lë dalë dhe të thotë që futboll- in për 22 vjet nuk e kanë mbajtur bashkitë. Dhe po të ishe Federata që në vitin 2006 la të bashkëpunonte me qeverinë për privatizimin e ekipeve dhe bashkitë mos të paguanin më, të liheshin ekipet te lira që të bliheshin, të garantoj që kampionatet kombëtare nuk do të zhvilloheshin më. Tjetra, sa herë ka ndërhyrë bashkia e Tiranës për të shpëtuar Tiranën nga ‘falimentimi? Gjë që Partizani nuk e kishte këtë privilegj, nuk nuk e kishte as Dinamo…
Po thoni se ndërhyrja e Veliajt është e drejtë?
Si mos të kërkojë llogari kryetari i bashkisë për aksionet e veta? Po kur Federata kërkonte stadiumi, toka e kujt ishte? Po te qendra e Dinamos, kush ua dha terrenet FSHF-së? E të tjera plot gjëra që bashkia ka bërë. Por duhet gjetur një formë bashkëpunimi midis qeverisë qendore, asaj lokale dhe Federatës. Vetëm kështu fiton Futbolli. Mos të harrojmë që presidenti erdhi i mbëhstetur nga politika, dhe kur kanë dashur e kanë afruar dhe kur nuk e do, i drejtohesh UEFA-s dhe FIFA-s. Unë kam punuar disa vite si drejtor dhe të garantoj që bashkia e Vlorës ka dhënë minimumi 5-6 milionë euro të deklaruara për futbollin. Tirana më shumë dhe gjitha qytetet pak a shumë me shifra të tilla. Që të gjitha këto ia kanë lehtësuar punën Federatës. Janë lekë që për mua është një gabim nga të gjitha bashkitë pa përjashtim. Janë taksat tona dhe me ato do të ishin bërë shumë rrugë, trotuare e të mira materiale për qytetarët. Prandaj, shumë mirë që kërkon llogari. Tjetra që dëgjova që gjoja kryetari nuk ka të drejtë më. Po këta e dinë që bashkitë shesin vetëm stemën jo asetet? Këto asete janë prapë të bashkisë. Prandaj them një bashkëpunim i drejtë do të ishte mirë.
Cila është ajo gjë që duhej të bëhej patjetër në këto 20 vite të Armand Dukës në drejtim dhe nuk është bërë?
Shiko, mos të jemi dhe të padrejtë. Duka solli një reformë në federatë. E organizoi dhe e bëri institucion. Ishte dhe periudha kur UEFA me një plan marshall për vendet e pazhvilluara si puna jonë solli shumë fonde, që sollën zyrat e reja, solli qendrën në Kamzë dhe fonde për infrastrukturë. Duka është një manaxher, tregtar i mirë. Por gjithashtu la shumë vend për abuzime. Detyrimisht, kur shikon që presidentët e UEFA-s dhe FIFA-s janë të korruptuar, ti s’do vesh të notosh në del tjetër. Kur erdhi Platinija, erdhi me fonde për t’i dhënë Duka votën. Kampionatet pothuajse humbën tifozët. Një gjë e bukur ishte kualifikimi në Europian. Nuk më vjen mirë kur dëgjoj qe ishte zotësia e Dukës që vajtëm në europian. Dhe këtu lë vend për abuzim. Të mendosh që u ble ndeshja me Armeninë, për mua është turp. Unë s’e besoj këtë, por ka fjalë shumë dhe nuk ka reagime.
Nëse i hedh një sy investimeve që ka bërë FSHF-ja dhe qeveria për infrastrukturën, stadiumet, fushat, duket se çdo gjë është e prerë me thikë deri në Fier. Gjithë jugu i vendit, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Memeliaj, Sarandë, etj, nuk kanë prekur asnjë investim dhe mbi të gjitha asnjë stadium të ri. Si ka mundësi që jugu është fshirë totalisht nga harta, a është një mungesë respekti ndaj futbollit dhe traditës që kanë pasur këto qytete, pasi janë bërë stadiume të reja në Kukës, Elbasan, por nuk investohet në jug…?
Që Duka nuk e do Vlorën…. kjo shprehet me investimet që ai ka sjellë. Pavarësisht se kemi det të pastër këtu, ai ka qejf detin e Durrësit. Le të jetë me i pistë, ai aty do të notojë. Faktet nuk i ndryshojmë dot. Po të shikosh Korçën, Durrësin, Fierin dhe ndonjë qytet tjetër, e kupton diferencën për çfarë flasim.
Investoi për Partizanin, për Lushnjën tani. Por ajo është detyra e FSHF-së, për atë merren fondet. Përsa u përket stadiumeve që përmendët pa dëshirën dhe bashkëpunimin e qeverisë qendrore dhe lokale, nuk do të ishte bërë asnjë gjë për sportin dhe në veçanti për futbollin.
Në këtë situatë parazgjedhore që po zien për FSHF-në, keni një këshillë?
Patjetër që një këshillë e kam. Një herë të vetme doja të bëheshin një palë zgjedhje serioze. Të shpreheshin klubet drejt dhe të mos ndryshojë Kushtetuta e Federatës kur të dojë Presidenti. Të bëjë shkëputjen e shoqatës së arbitrave. Mos të ketë influencë presidenti që mos të thonë njerëzit që Duka nxjerr dhe fut ekipe në kategori. Të bëhet Liga Profesioniste. Të jetë sektori i drejtësisë sportive që mos të urdhërojë Duka pretendimet dhe atëherë futbolli do të ecë përpara./Panorama Sport