Një emër shumë i njohur i futbollit shqiptar si Sokol Kushta, ish-futbollisti ikonë i Flamurtarit dhe Kombëtares, ka kritikuar ashpër mënyrën se si është menaxhuar Armand Broja, sulmuesi që po shkëlqen në ‘Premier League’. Sipas Kushtës nëse Broja do lunate kundër Anglisë në ‘Wembley’ kombëtarja nuk do pësonte katër gola që në pjesën e parë, ndërsa ka kritikuar edhe Edy Rejën për fushatën që po bën për Armand Dukën.
“Që Broja është lojtar klasi nuk ka nevojë ta them në këtë moment. Thjesht tani unë po shijoj këtë djalë duke e parë çdo tre ditë. Por kënaqësia më e madhe që po e shijoj është lëpirja që po i bëjnë shumica e gazetarëve që ishin kundër meje pas ndeshjes në Londër. Ishin ata që dolën pro trajnerit dhe presidentit. Dmth kundër Brojës. Unë isha i sigurt që po të ishte Broja në fushë, pjesa e parë nuk do të dilte 4+ dhe zgjidhja ishte ulja në tribunë me pretekstin që Broja është kapriçoz dhe nuk është rastësi që trajneri i Kombëtares del dhe bën fushatë për presidentin e FSHF-së. Veprim absurd. Nuk e di në cilin shtet do të ndodhte kjo gjë që trajneri i Kombëtares të bëjë fushatë për presidentin e futbollit,”-shkruan Kushta në rrjetet sociale.