“Dy vjet pas Konferencës së Donatorëve “Së Bashku për Shqipërinë”, ku Bashkimi Evropian tregoi solidaritet të pashembullt me Shqipërinë dhe popullin e saj, jam krenar të shoh premtimin tonë të bëhet realitet”, u shpreh sot në një reagim kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca.
“Falë programit “BE për Shkollat”, 21 shkolla dhe kopshte në zonat e prekura nga tërmeti i vitit 2019 janë rindërtuar me standardet më të larta evropiane. Kisha e mrekullueshme e Rubikut rifitoi shkëlqimin e saj mesjetar falë programit “BEpërKulturën” dhe punimet janë në vazhdim në thesare të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare”, theksoi Soreca.
“Nëpërmjet këtyre dy programeve të rëndësishme, BE jo vetëm po rehabiliton institucionet arsimore dhe sitet e trashëgimisë kulturore, por gjithashtu po investon për brezat e ardhshëm të Shqipërisë si dhe po krijon mundësi punësimi për banorët vendas në 11 bashki”, tha ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.
Më 17 shkurt 2020, pak pas tërmetit të nëntorit 2019, Konferenca Ndërkombëtare e Donatorëve “Së Bashku për Shqipërinë” në Bruksel i hapi rrugën një përpjekjeje të pashembullt rindërtimi të udhëhequr nga BE-ja, duke synuar rikthimin e shpresës për mijëra shqiptarë.
Sot Shqipëria numëron dhjetëra shkolla të rindërtuara me standardet më të larta të BE-së dhe një sërë sitesh të rijetësuara të trashëgimisë kulturore.
Programet kyçe “BE për shkollat” dhe “BE për kulturën” po rindërtojnë 63 shkolla dhe 27 site kulturore, duke pasur një ndikim masiv në sistemin arsimor të vendit dhe në trashëgiminë e tij kulturore, njoftoi sot delegacioni i BE në Tiranë.
Në orët e para të 26 nëntorit 2019, një tërmet me magnitudë 6.3 ballë goditi Shqipërinë duke shkaktuar 51 viktima, rreth 1000 të plagosur, si dhe 17.000 të zhvendosur përkohësisht në 11 bashki.
Me më shumë se një mijë pasgoditje, tërmeti la të paralizuara qytete të tëra, duke dëmtuar rëndë shtëpitë, institucionet arsimore, ndërtesat publike dhe private. Menjëherë pas tërmetit, ekipi i Mbrojtjes Civile i BE-së zbarkoi në Shqipëri dhe për gati një muaj koordinoi reagimin e menjëhershëm ndërkombëtar me ekipet e kërkim-shpëtimit dhe inxhinierët strukturorë nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj.
Në pak ditë, BE-ja u bashkua me Bankën Botërore dhe Kombet e Bashkuara dhe drejtoi përgatitjet për një vlerësim të përbashkët të nevojave pas fatkeqësisë, duke punuar së bashku me autoritetet shqiptare. Vlerësimi u dha donatorëve besueshmërinë dhe sigurinë e nevojshme për të ndihmuar Shqipërinë dhe ishte baza për konferencën e donatorëve që u zhvillua në Bruksel, më 17 shkurt 2020, duke mbledhur një total prej 1.15 miliardë euro. Përafërsisht, 295 milionë euro u dhanë si grante dhe 853 milionë euro si kredi.
Bashkimi Evropian, duke përfshirë Komisionin, Shtetet Anëtare të tij dhe Bankën Evropiane të Investimeve, dhanë 400 milionë euro për rindërtimin e Shqipërisë, nga totali i premtuar prej 1.15 miliardë euro, duke tejkaluar të gjitha pritshmëritë. Komisioni Evropian premtoi 115 milionë euro nga buxheti i BE-së për të rindërtuar dhe rehabilituar me shpejtësi ndërtesat publike dhe sitet kryesore në Shqipëri. Rreth 180 milionë euro erdhën nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe 102.5 milionë euro u dhanë nga Banka Evropiane e Investimeve (EIB).
Shuma e BE-së prej 115 milionë eurosh u kanalizua në dy programe: “BE për shkollat”, zbatuar nga UNDP-ja, një investim prej 75 milionë eurosh për rindërtimin apo rehabilitimin e objekteve arsimore dhe “BE për kulturën”, zbatuar nga UNOPS-i, një investim prej 40 milionë eurosh për rehabilitimin e siteve të trashëgimisë kulturore.