Këtë të hënë rinis gjyqi ndaj Presidentit Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese.

Në të njëjtën kohë kur juristët e kreut te shtetit do jenë para gjyqtarëve kushtetues, pak metra me tutje Ilir Meta nga zyra e tij do lexojë publikisht përgjigjet e 72 pyetjeve të bëra nga anëtarët e gjykatës.

Presidenti ka zgjedhur të mos marrë pjesë fizikisht në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij, duke ia lënë në dorë mbrojtjen juristeve, të cilët u bënë shkak që procesi te zvarritej pasi kërkuan kohë për të njoftuar kreun e shtetit për atë që ndodhi në seancë.

Më 3 shkurt Presidenca paraqiti një fashikull prej 140 faqesh, ku vihej në pikëpyetje legjitimiteti i Kuvendit që shkarkoi Ilir Metën, ndërsa mazhoranca socialiste u akuzua për hakmarrje politike.

Parashtrimet e juristëve të Ilir Metës nuk bindën gjyqtarët kushtetues të cilët drejtuan një mori pyetjesh në adresë të kreut të shtetit.
Procesi që po zhvillohet ndaj Ilir Metës në Kushtetuese po tregon se hallkat e gjyqësorit nuk ndryshojnë shumë nga njëra tjera, pasi tre mbledhje nuk mjaftuan për të mbyllur gjyqin ndaj kreut të shtetit.