Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se me vendim të Këshillit të Ministrave u miratua ngritja e Komisionit të posaçëm për “Fëmijët në përkujdesje të Republikës”.

Spiropali sqaron se përmes këtij ligji, shteti merr në mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë fëmijët e Dëshmorëve të Atdheut.

“Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” do të mbështeten me: Pagën e plotë mujore të prindit për fëmijën e vetëm; 140% e pagës kur prindi ka lënë pas dy fëmijë; 150% e pagës kur janë tre fëmijë; 160% e pagës së prindit kur në familje janë katër fëmijë, e me radhë. Përveç trajtimit financiar, këtyre fëmijëve do t’u garantohet: Shërbim shëndetësor falas, jo vetëm në strukturat publike, por edhe në strukturat private, si dhe do të përfitojnë bursë për ndjekjen e arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike dhe tekste shkollore falas”, shprehet ajo.