Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Aleanca respekton vendimin e Serbisë që mos t’i bashkohet. Ai ka shtuar se NATO asnjëherë nuk detyron asnjë vend që të hyjë në NATO, andaj respektojnë vendimet e secilit vend.
“Ky është vendim i pavarur edhe sovran i Serbisë dhe NATO absolutisht e respekton, siç e respekton vendimin e Suedisë edhe Finlandës që janë partner, por jo pjesë e NATO-s”, tha Stoltenberg.
Ai tha se roli kyç i NATO-s në Kosovë është mbështetja e dialogut politik dhe mundësimi i lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.
Stoltenberg theksoi se aleanca ka rol me rëndësi në ruajtjen e paqes edhe evitimin e konflikteve si dhe gjetjen e zgjidhjes, kur flitet për dialogun mes Prishtinës edhe Beogradit dhe në këtë kuptim mbështesin BE-në që ndërmjetëson dialogun.
“Roli kyç i NATO-s në Kosovë është mbështetja e dialogut politik dhe sigurimi i lirisë së lëvizjes për të gjitha bashkësitë”, ka nënvizuar ai.
Duke folur rreth pranisë së aleancës në Ballkan, Stoltenberg tha se “NATO ka zyra në Sarajevë, forcat e KFOR-it në Kosovë, zyrë në Beograd” dhe përkujtoi anëtarësimin e Malit të Zi dhe Maqedonisë së veriut në NATO, duke nënvizuar se roli i kësaj aleance në Ballkan është evitimi i konflikteve të reja.
Këtë vit Stoltenberg përmbush mandatin e tij 10 vjeçar në krye të NATO-s, i cili përfundon me 1 tetor dhe pastaj do të emërohet guvernator i Bankës Qendrore në Norvegji.