“Dyert e NATO-s janë gjithmonë të hapura për anëtarë të rinj që përmbushin standardet e saj”, deklaroi kreu i aleancës, Jens Stoltenberg, i cili i mëshoi idesë se për këtë çështje, duhet respektuar deri në fund vendimi i lirë i shteteve.
Stoltenberg theksoi për Vesti se dokumenti për mos zgjerimin e NATO-s në lindje, për të cilin Rusia këmbëngul se ekziston, nuk është nënshkruar kurrë.
“NATO nuk ka detyruar asnjëherë, asnjë vend që t`i bashkohet radhëve të saj. Ne respektojmë plotësisht lirinë e vendimit. Respektojmë vendet kur vendosin të bëhen pjesë e aleancës, siç ndodhi me Poloninë apo disa kombe të tjera pas Luftës së Ftohtë, dhe respektojmë në të njëjtën masë, edhe ata që zgjedhin të mos na bashkohen”, është shprehur ai, duke kujtuar veç të tjerash Serbinë.
“Është vendim i pavarur i Serbisë që të mos hyjën në aleancë, NATO-ja nuk e diskuton, ashtu siç nuk diskuton as zgjedhjen e Suedisë dhe Finlandës që janë partnerë tanë të ngushtë, e kanë preferuar të mos anëtarësohen.
Nuk duam të futemi në sferën e ndikimit kur fuqitë e mëdha vendosin për fqinjët e tyre të vegjël. Çdo vend në Evropë ka të drejtë të vendosë për rrugën që do të zgjedhë”, ka thënë ai.
Duke folur për praninë e Aleancës në Ballkan, Stoltenberg tha se NATO ka zyra në Sarajevë, ka trupat e KFOR-it në Kosovë dhe zyrën në Beograd, ndërsa rikujtoi se asaj i janë bashkuar Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e ritheksoi rolin e kësaj aleance në Ballkanin Perëndimore në parandalimin e konflikteve të reja.