Ekspozimi ndaj një teshtime është i mjaftueshëm për t’u infektuar me Covid-19, sipas një studimi të fundit në të cilin vullnetarëve të shëndetshëm iu dha qëllimisht një dozë e virusit. Studimi i pari që ka monitoruar njerëzit gjatë gjithë kohës së infeksionit, zbuloi gjithashtu se atat zhvillojnë simptoma shumë shpejt – mesatarisht, brenda dy ditëve nga kontakti me virusin dhe janë më infektues pesë ditë pas infeksionit. Studimi u krye duke përdorur një lloj virusi përpara shfaqjes së varianteve Alfa, Delta dhe Omicron.
Drejtuesi kryesor i provës, Christopher Chiu, nga Kolegji “Imperial” në Londër, tha se studimi ynë zbulon disa njohuri klinike shumë interesante, veçanërisht rreth periudhës së shkurtër të inkubacionit të virusit, infektimit si dhe dobinë e testet të shpejta dhe vështirësitë e mundshme për shëndetin publik.
Gjetjet , të publikuara në revistën “Springer Nature”, detajojnë rezultatet në 36 pjesëmarrës të shëndetshëm dhe të rinj pa imunitet ndaj virusit. Vullnetarët u monitoruan në një njësi të specializuar në spitalin Royal Free në Londër dhe nuk patën simptoma të rënda.
Studimi zbuloi se infeksioni fillimisht shfaqet në fyt dhe se virusi infektiv arrin kulmin rreth pesë ditë pas infektimit, deri në atë moment hunda ka një ngarkesë virale shumë më të lartë se fyti. Studimi tregon gjithashtu se testet e shpejta janë një tregues i besueshëm nëse virusi infektiv është i pranishëm.
“Ne zbuluam se në përgjithësi, testet e shpejta lidhen shumë mirë me praninë e virusit infektiv. Edhe pse në një ose dy ditët e para ato mund të jenë më pak të ndjeshme, nëse i përdorni në mënyrë korrekte dhe të përsëritur, kjo do të ketë një ndikim të madh në ndërprerjen e përhapjes virale,” tha Chiu.
Studimi zbuloi gjithashtu se nga 18 personat që u infektuan, të gjithë kishin ngarkesa të ngjashme virale, pavarësisht nëse ata zhvilluan simptoma, duke nënvizuar rolin e transmetimit asimptomatik.
Wendy Barclay, kreu i departamentit të sëmundjeve infektive në Kolegjin “Imperial” Londër tha se shumë njerëz mund të ecin përreth duke shpërndarë virusin dhe të mos e kuptojnë.
Çuditërisht, disa nga ata që nuk e plotësuan pragun për t’u infektuar kishin gjithashtu nivele shumë të ulëta të virusit të dallueshëm në hundët dhe fytin e tyre, duke treguar se mund të kenë përjetuar një infeksion shumë të shkurtër në kohë.
Ekipi pritet të publikojë gjetje të mëtejshme duke dhënë një dritare unike në fazën më të hershme të përgjigjes imune, gjatë orëve dhe ditëve të para pas takimit me virusin. Ekipi thotë se prova hap rrugën për studime sfiduese të ardhshme që mund të ndihmojnë në përshpejtimin e zhvillimit të gjeneratës së ardhshme të vaksinave dhe barnave antivirale.
Studimet e fazës 3 janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u planifikuar për shkak të niveleve të çrregullta të transmetimit në popullatë.(The Guardian/Përshtati:Gazeta “Si”)