Vitamina D është një ndër vitaminat që njohjet gjerësisht për rolin e saj të dobishëm jo vetëm në shëndetin e kockave, në sëmundjet e tjera autoimune, kardiovaskulare dhe infektive, por një rol kyç ka edhe në Covid.

Mjekët që në fillim të pandemisë së koronavirusit kanë inkurajuar njerëzit të marrin vitaminë D për të forcuar sistemin e tyre imunitar kundër Covid.

Në një studim të fundit të zhvilluar nga Izraeli, theksohet se mungesa e vitaminës D para infektimit me virusin rrit mundësinë e Covid-19 serioze, shtrimin në spital dhe vdekjen.

Studiuesit në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Bar-Ilan , të udhëhequr nga Dr. Amiel Dror , i cili botoi punimin në revistën shkencore PLoS One, analizuan të dhënat për 1,176 pacientë që u shtruan në spital në 2020 dhe 2021 në Qendrën Mjekësore Galilee.

Nga të dhënat e studimit është zbuluar se ata që kishin mungesë të vitaminës D (më pak se 20 ng/mL) përpara infeksionit me koronavirus, kishin mesatarisht 14 herë më shumë gjasa të sëmureshin rëndë ose në gjendje kritike, krahasuar me ata që kishin nivele të vitaminës D mbi 40 ng/mL para infeksionit.

Gjithashtu probabiliteti i vdekjes në mesin e pacientëve me një mungesë të mëparshme të kësaj vitamine ishte pothuajse 26%, krahasuar me vetëm 2.3% në mesin e atyre që kishin nivele adekuate të D më parë. /